Shumë e rrezikshme dhe e papranueshme gjuha e Sami Kurteshit ndaj AGK-së

0
105

Anëtari i partisë politike Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi, është përfshirë të mërkurën në një sulm të radhës, të rëndë kundër medieve dhe gazetarëve.

Duke komentuar reagimet për emërimin e zonjës Luljeta Aliu për anëtare të Komisionit të Pavarur të Medieve, zoti Kurteshi, ka akuzuar mediet dhe gazetarët se janë pjesë e “krimit të organizuar politik-ekonomik nën firmën e PLANS”.

Në një gjuhë shumë të rrezikshme dhe absolutisht të papranueshme, zoti Kurteshi ka shkruar se “AGK është pjesë e pandashme e makinës përbaltëse të krimit të organizuar!”. Ai gjithashtu, ka akuzuar aktivistë të shoqërisë civile për reagimet duke i quajtur “ekspert/e” vendor/e, ushujza parazitore të PLANS-it”.

AGK-ja, sërish i bën thirrje kryeministrit dhe kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, që të angazhohet për ndalimin e sulmeve të vazhdueshme të eksponentëve të qeverisë dhe partisë së tij, pasi ato ndikojnë direkt në sigurinë e gazetarëve në Kosovë.