SJ: Një gazetare e re shqiptare sulmohet në Tiranë

Gazetarja e televizionit Fax News, Besarta Demushaj, të martën (14.12.2021) është sulmuar, goditur me shkelma dhe dhunuar nga dy persona teksa raportonte një lajm në Tiranë. Demushaj shpjegoi se po i përgjigjej një rasti nga një grua që posedon një dyqan në rrugën Hoxha Tahsim. Me të mbërritur në vendngjarje Demushaj, kanë mbërritur dhe ndërtuesi i një pallati së bashku me kunatin e tij nga ku kanë filluar të sulmojnë. Ata bllokuan përkohësisht gazetaren brenda në pallat dhe më pas e kapën, e goditën dhe e shkelmuan. Pas denoncimit të rastit pranë autoriteteve nga gazetarja, policia e shtetit ka shpallur procedim penal ndaj dy të dyshuarve

Blerjana Bino, kërkuese për Rrjetin e Gazetarëve të Sigurt në Ballkanin Perëndimor , u shpreh se “ky është rast veçanërisht i ndjeshëm sepse Demushaj është një gazetare shumë e re që bën reportazhe nga terreni dhe si e tillë përballet me sfida të shumta. Të gjithë e dimë se situata është veçanërisht e brishtë për gazetaret në peisazhin aktual mediatik shqiptar, kështu që këto raste nuk mund të tolerohen. Autoritetet e Policisë kanë reaguar menjëherë, gjë që është e lavdërueshme, por duhet të sigurohet ndjekja e duhur dhe hetimi transparent”.

Më herët në dhjetor, ekipi i Fax News ishte në Vorë, një bashki pranë kryeqytetit Tiranë, ku banorët po protestonin për një segment rrugor që ishte në gjendje të keqe. Mirëpo, përfaqësuesit e komunës – të cilët ishin të pranishëm gjatë raportimit të gazetarit – nuk i kanë lejuar banorët të mbajnë protestën e tyre. Pamjet video tregojnë se ata u përpoqën të pengonin gazetaren e Fax News, Jonida Omeri dhe ekipin e saj të pasqyronin protestën.

Kjo është një përpjekje tjetër e autoriteteve publike për të penguar punën e gazetarëve dhe raportimin e mediave, duke i penguar ata që t’i japin zë qytetarëve dhe luftës së tyre përballë shtetit, shtoi Bino.

Rrjeti SafeJournalists, që përfaqëson më shumë se 8200 profesionistë të medias në Ballkanin Perëndimor, solidarizohet me kolegët shqiptarë të Fax News dhe dënon këto sulme aktuale. Kërkojmë hetim të duhur të rastit të Besarta Demushajt dhe transparencë rreth rezultateve të hetimit. Njëkohësisht, rrjeti ynë kërkon dënim të qartë të përpjekjes së autoriteteve vendore për të penguar punën e gazetarëve dhe për të praktikuar një tolerancë zero ndaj sulmeve ndaj gazetarëve.

Rrjeti SafeJournalists do të informojë të gjitha palët e interesuara kombëtare dhe ndërkombëtare relevante për këtë rast.

Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.

 

Shkup – Beograd – Podgoricë – Prishtinë – Sarajevë – Zagreb, 16 dhjetor 2021

 

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë

Shoqata e Gazetarëve të BH

Shoqata e Gazetarëve Kroatë

Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë

Sindikata e Mediave të Malit të Zi