Media shkeli etikën në ngjarjen e Librazhdit; “Arsyet pse jeta private e një qytetareje nuk është lajm”

Burimi: https://citizens-channel.com/2022/05/31/media-shkeli-etiken-ne-ngjarjen-e-librazhdit-arsyet-pse-jeta-private-e-nje-qytetareje-nuk-eshte-lajm/
Media shkeli etikën në ngjarjen e Librazhdit; “Arsyet pse jeta private e një qytetareje nuk është lajm”

Prej disa ditësh, në rrjete sociale dhe mediat online u shpërnda një video e filmuar brenda hapësirës private të një qytetareje nga Librazhdi. Materiali filmik shfaq imazhe ku dukshëm ushtrohet dhunë fizike dhe psikologjike ndaj të resë.

Ndonëse mediatikisht rasti vijon të ripublikohet dhe të përbëjë sërish temë për diskutim, ekspertë të medias pohojnë se një material i tillë nuk përmbush asnjë kriter për t’u konsideruar “lajm”.

Gjykoj që kjo ngjarje është transmetuar vetëm për efekt sensacionalizmi, nuk ofron informacion qe është jetik për publikun dhe nuk ka asnjë vlerë për t’u quajtur ose justifikuar si lajm”, – pohon Emiljano Kaziaj, studiues i medias, i cili rendit disa nga shkeljet e Kodit Etik që kanë bërë mediat që e kanë transmetuar atë.

Sipas Kaziajt, janë disa nene të Kodit Etik të Gazetarit që janë shkelur, siç është “Ndërhyrja në jetën private”, “Interesi Publik” dhe “Krimi dhe dhuna”.

Edhe Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) ka reaguar, duke e konsideruar publikimin e një ngjarjeje familjare një “ushqim zbavitës dhe argëtues” për publikun, që bëhet shkas për trajtime antinjerëzore, që nuk respektojnë lirinë dhe privatësinë. AMA ftoi median ta fshijë videon e publikuar.

Në vijim të deklaratës për media, Autoriteti i Mediave Audiovizive theksoi se ligji 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, saktëson dhe mënyrën si duhet të raportojnë operatorët.

Operatorët, gjatë zhvillimit të veprimtarisë së tyre duhet të respektojnë dhe garantojnë të drejtën e ruajtjes së jetës private dhe të mos lejojnë transmetime që nxisin intolerancën ndërmjet shtetasve”, – thuhet në reagim.

Organizata të tjera kanë reaguar duke listuar dhe shkelje të tjera ligjore në publikimin e një materiali të tillë në media.

Rrjeti Shqiptar për Fuqizimin e Grave (AWEN), në një deklaratë publike, renditi disa shkelje të Kodit Penal. Konkretisht, AWEN cilëson se është shkelur neni 121 “Ndërhyrja të padrejta në jetën private” si dhe neni 130/a “Dhuna në familje”.

Eskpertë të medias: “Lajme sensacionaliste kanë si qëllim të thithin audiencë, jo të informojnë”

Studiuesi Emiljano Kaziaj shpjegon se raportimi i ngjarjeve sensacionaliste ose sajimi i këtyre ngjarjeve, ka si qëllim në vetvete të thithë audiencë dhe klikime, duke e larguar tërësisht gazetarin nga misioni i tij.

Problemi me raportime të tilla qëndron në faktin se ato shtrembërojnë misionin që duhet të ketë gazetaria dhe përforcojnë një qasje që fokusohet tek spektakli dhe sensacioni dhe jo tek informacioni jetik apo llogaridhënia, qe janë në thelb të të bërit gazetari”, – pohon Kaziaj.

Kjo lloj “gazetarie”, thotë në vijim Kaziaj, e vendos individin në rolin e një vëzhguesi pasiv.

Duke pasur ne fokus vetëm sensacionin, klikimet, skandalet, këto lloj mediash po e përforcojnë idenë e të jetuarit në një shoqëri spektakli e cila e vë publikun në rolin e një vëzhguesi pasiv, i cili mpihet me përmbajtje mediatike qe nuk kërkon asnjë mendim kritik, por ofron argëtim”.

Kaziaj pohon se publikimi i materialeve të tilla, në një  perspektivë afatgjatë do të krijojë një shoqëri apatike.

Të jem i sinqertë po i shohim ndikimet e para të këtij fenomeni në Shqipëri”, – përmbyll ai.