Shqipëria u ngjit me shtatë vende në Indeksin e Lirisë së Medias, megjithatë mbetet e fundit në rajon.
Sipas raportit të hartuar nga “Reporterët për Kufij”, në Shqipëri pavarësia editoriale kërcënohet nga rregullimi partiak. “Gazetarët janë viktima të krimit të organizuar dhe, nganjëherë, të dhunës policore, të nxitur nga dështimi i qeverisë për t’i mbrojtur ata”, -citon raporti.
Krahasuar me një vit më herët, Shqipëria renditet shtatë vende më sipër, megjithatë sipas raportit në Shqipëri pavarësia editoriale është e kërcënuar.
Indeksi bazohet në pesë indikatorë kryesor që lidhen me politikën, ekonominë, ligjin, shoqërinë dhe sigurinë.
“Pronësia e pjesës më të madhe të mediave shqiptare është e përqendruar në duart e vetëm katër ose pesë kompanive”, thekson raporti.
Po ashtu indeksi analizon se gazetarët janë nën presionin politik që kufizon pavarësinë editoriale.
“Gazetarët janë nën presion politik që u përkeqësua në vitin 2021 nga përpjekjet për të kontrolluar informacionin gjatë zgjedhjeve parlamentare dhe pandemisë Covid-19. Politikanët kufizojnë pavarësinë editoriale me anë të rregullatorëve të medias shumë të politizuar dhe duke emëruar ata që janë përgjegjës për median publike”,-thuhet në raport
Indeksi vë në dukje se gazetarët kritikë ndaj qeverisë shpesh u nënshtrohen sulmeve politike të krijuara për t’i diskredituar ata dhe ata kanë vështirësi në aksesin e informacionit të mbajtur nga shteti.
Ndërsa, veçanërisht të kërcënuar sipas indeksit mbeten gazetarët që hetojnë krimin dhe korrupsionin.,
“Gratë gazetare, të cilat përbëjnë pjesën më të madhe të profesionit, përballen me ngacmime në internet dhe në disa raste me diskriminim me bazë gjinore brenda organizatave të lajmeve, megjithëse ka pasur progres në këtë fushë.”
Indeksi sjell në pah mes të tjerash edhe përhapjen e vetëcensurës mes gazetarëve.
“Vetëcensura është e përhapur, por mediat gjithsesi kanë krijuar një platformë për vetërregullimin etik, e para e këtij lloji në Shqipëri”.
Shqipëria në raport me rajonin
Në ndryshim nga Shqipëria, vendet fqinje gëzojnë një renditje më të favorshme sa i përket lirisë së medias.
Maqedonia e Veriut, renditet në vendin e 38 nga 180 vende në total, duke u ngjitur 19 vende në indeks krahasuar me një vit më herët. Fill pas saj vjen Mali i Zi, i cili renditet në vendin e 39-të, duke u ngjitur me 24 vende në renditje krahasuar me një vit më herët.
Kroacia, renditet në vendin e 42, duke pësuar një rritje prej gjashtë vendesh sa i përket lirisë së medias.
Kosova renditet në vendin e 56, duke pësuar po ashtu një rritje në renditje me pesë vende. Ndjekur më pas nga Bosnja dhe Hercegovina të renditur në vendin e 64. Ndërsa Serbia ka renë 12 vende krahasuar me një vit më herët, megjithatë qëndron në vend më të favorshëm se sa Shqipëria, duke u renditur në vendin e 91.
Renditja e Shqipërisë në Indeks ndër vite
Shqipëria është bërë pjesë e Indeksit të Reporterëve pa Kufij që prej vitit 2003, ku renditej asokohe në vendin e 34. Në vitet në vijim, renditja ka ardhur duke zbritur, duke shënuar kësisoj përkeqësim të nivelit të lirisë së medias.
Zbritjen më të madhe e ka pësuar në vitin 2013, duke u renditur në vendin e 102. Ndërsa pas vitit 2013 pozicioni i Shqipërisë ka variuar nga vendi i 75 deri në vendin e 85, duke e bërë renditjen e vitit 2022 më të madhen që prej vitit 2013.