Zgjedhja e Alfred Pezës në krye të Radio-Televizionit Shqiptar të martën u pa me shqetësim nga Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt.
Përmes një letre drejtuar Autoritetit të Mediave Audiovizuale (AMA) Rrjeti shpreh shqetësim për historinë politike dhe çështjet ligjore të Z.Peza.
“Sipas Ligjit për Mediat Audiovizive N0.97/2013, neni 104, personat që kanë mbajtur poste deputeti ose kandidatë për deputetë në dy legjislaturat e fundit, ose janë ose kanë qenë anëtarë të partive apo organizatave politike, nuk kanë të drejtë të mbajnë pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm në televizionin publik”,-thuhet në letër.
Ndërsa theksojnë se edhe pse Alfred Peza nuk ka pasur mandat deputeti në dy legjislaturat e fundit, ai ka pasur një përkatësi politike, duke venë në dyshim paanshmërinë e RTSH-së.
“Më tej, neni 10 i Statutit të RTSH-së nënvizon domosdoshmërinë e ruajtjes së neutralitetit politik për rolin e Drejtorit të Përgjithshëm, duke thënë se “Drejtori i Përgjithshëm nuk duhet të marrë udhëzime nga një grupim apo parti politike”. Megjithatë, duke marrë parasysh sfondin e konsiderueshëm politik të zotit Peza dhe shtrirjen e përfshirjes së tij në veprimtari partizane, bëhet e vështirë të parashikohet se si do të ruhet pavarësia dhe neutraliteti i nevojshëm politik”,-thuhet mes të tjerash në letrën e Rrjetit të Gazetarëve të Sigurt.
Në garën për drejtuesin e RTSH-së ishin edhe tre kandidatë të tjerë, Laureta Roshi, Enrik Mehmeti dhe Helidon Haliti. Megjithëse votimi ishte i fshehtë dhe Peza u zgjodh me vota unanime të nëntë anëtarëve të pranishëm, konkurenca u pa e kufizuar nga Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt.
“Vëmë re me shqetësim se procesi i përzgjedhjes u karakterizua edhe nga konkurrencë e kufizuar nga kandidatët e tjerë duke ngritur më tej shqetësimet për legjitimitetin e emërimit. Prania e kandidatëve të tjerë me lidhje me zotin Peza vë në pikëpyetje drejtësinë dhe hapjen e procesit të përzgjedhjes”,-thuhet në letër.
Rrjeti i ka bërë thirrje Komisionit Parlamentar për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik në Shqipëri që ti shqyrtojë me përpikëri këto shqetësime.
“Është thelbësore të sigurohet që parimet e paanshmërisë, pavarësisë dhe profesionalizmit të mbeten gurët e themelit të RTSH. Në kontekstin e peizazhit mediatik të Shqipërisë, ku lufta për lirinë e medias është e vazhdueshme, paanshmëria e shërbimit të transmetimit publik ka peshë të konsiderueshme pasi në parim ai luan një rol vendimtar në forcimin e proceseve demokratike”,-përfundon komunikimi në letrën e Rrjetit të Gazetarëve të Sigurt.
Alfred Peza e ka nisur karrierën e tij si gazetar e më pas drejtues mediash. Ndërsa në vitin 2013 u angazhua në Partinë Socialiste, ku u zgjodh deputet në zonën e Peqinit. Prej 2013-2017 ai mbajti poste në parti sikurse zëdhënës dhe sekretar dixhital. Në 2017-ën, ai nuk u rikandidua në listën e PS-së, por vijoi të kishte poste politike.
Po ashtu, në 2017 Peza u vendos në hetim nga Prokuroria e Përgjithshme për pasurinë dhe konflikt interesi.