Këshilli Bashkiak i Tiranës mbajti të enjten mbledhjen e fundit përpara pushimeve, ku u miratuan 9 vendime.
Sipas nenit 58 të rregullores për organizimin dhe funksionimin e Këshillit Bashkiak Tiranë, media ka të drejtën të ndjekë mbledhjet e këshillit.
“Në fund të sallës, për aq vende sa ka salla, zënë vend të ftuarit dhe përfaqësuesit e medias elektronike dhe të shkruar”, thuhet në rregullore.
Citizens Channel iu drejtua Bashkisë Tiranë për të ndjekur mbledhjen e ditës së djeshme sipas rregullores, por nuk u lejua ta ndjekë atë më argumentin se “mbledhja është me regji dhe mund ta ndiqni online”.
Edhe pas këmbënguljes dhe citimit të rregullores punonjësit e Bashkisë Tiranë nuk na lejuan ta aksesojmë mbledhjen, duke përsëritur se është më regji. Kjo fjali u komunikua nga 4 nëpunës të bashkisë Tiranë teksa tentonim të ndiqnim mbledhjen.
“Ka urdhër nga drejtori i medias në Bashkinë Tiranë dhe kemi probleme teknike, nuk mund ta aksesosh mbledhjen”, u shpreh njëri prej nëpunësve.
Kështu mbledhja e djeshme e Këshillit Bashkiak të Tiranës përsëri u mbajt pa praninë e mediave.
Sakaq transmetimi i saj online përmes regjisë ka pasur probleme, ku pas përfundimit të fjalës së kryetarit të bashkisë Erion Veliaj është ndërprerë audio në mënyrë të përsëritur.
Anëtarja e Këshillit Bashkiak Beti Njuma e ka denoncuar mungesën e transparencës që sjell transmetimi i mbledhjes me regji, duke theksuar rëndësinë e pranisë së medias në mbledhje.
Përmes një postimi në rrjetet sociale ajo është shprehur se transmetimi online nuk i ka shfaqur pjesët e rëndësishme të mbledhjet, momente kur kryebashkiaku pyetet për inceneratorët.
“Nuk shihej e nuk dëgjohej asgjë pikërisht kur ishte më e nevojshme. Kur këshilltarët e opozitës drejtonin pyetje dhe bënin debat për buxhetin e bashkisë ku çështja më e rëndësishme kishte të bënte me një pyetje së cilës zoti Veliaj nuk iu përgjigj: Sqarimin publikisht për qytetarët që paguajnë taksa se sa para derdhe për inceneratorin e Tiranës nga ky buxhet?”, është shprehur Njuma.
Transmetim i mbledhjes ka vijuar 2 orë pa zë dhe figurë pas përfundimit të mbledhjes.
Këshilli Bashkiak i Tiranës mes mungesës së transparencës ka miratuar ditën e djeshme 8 vendime, ndër to rritjen e pagave për punonjësit e bashkisë.
Këshilli Bashkiak miratoi dje rritjen e pagave për funksionarët dhe punonjësit e niveleve të ndryshme. Paga e kryetarit të Bashkisë u rrit me 82%.
Në mbledhjen e djeshme u diskutua dhe miratua plani buxhetor afatmesëm 2024-2026.
Sipas këtij plani, Bashkia Tiranë planifikon të japë më shumë leje ndërtimi dhe të rrisë tarifat për çerdhet dhe kopshtet.