Gazetarë, organizata të medias dhe përfaqësues të qeverisë dhe opozitës u mblodhën bashkë në një tryezë diskutimi për të folur mbi sigurinë e gazetarëve, lirinë e medias dhe nismat për të adresuar problemet me të cilat përballen gazetarët.
Tryeza e thirrur nga SCiDEV në bashkëpunim me Citizens, bëri bashkë aktorë të ndryshëm, duke hedhur dritë mbi problemet, por njëkohësisht duke vendosur përballë përgjegjësisë institucionet dhe ligjvënësit.
Drejtuesja e SCiDEV dhe njëherësh përfaqësuese e Rrjetit të Gazetarëve të Sigurt në Shqipëri, Blerjana Bino në fjalën hapëse vendosi theksin tek sulmet në rritje ndaj gazetarëve dhe në Indeksin e Reporterëve pa Kufij.
“Cënimet ndaj sigurisë fizike nuk janë sistemike në Shqipëri, por nga ana tjetër presionet që çojnë drejt censurës dhe dilemës nëse duhet të zbatojë kodin e etikës apo politikat e pronarit të medias janë të rrënjosura thellë në mjedisin mediatik në Shqpëri”, tha Blerjana Bino në fjalën e saj përshëndetëse.
Bino shtoi se gjuha denigruese, ligjërimi anti media dhe normalizimi i sulmeve janë disa nga fenomenet e 2023. Në vitin 2022 kishte vetëm 33 padi, ndërsa në 2023 raportohet 73 të tilla.
Bino thkesoi se në 2022, Inspektorati i Punës ka regjistruar 6 raportime për shkelje të të drejtave në punë, ndërsa në 2023 ka regjistruar 26 të tilla.
“Mos të harrojmë se këto shifra janë vetëm ato që raportohen”, tha më tej Bino.
Drejtuesja e Birn Albania, Kristina Voko theksoi nevojën për një dialog të strukturuar dhe kërkoi një bashkëpunim të të gjitha palëve.
Po ashtu vendosi një theks të veçantë tek mungesa e aksesit në informacion.
Rregullimi i propagandës dhe influencës qe politikanet kane mbi median apo gazetaret .
“Komisioni për Dezinformimin edhe pse në fillesat e tij po humbet fokusin nga rekomandimet e ndërkombëtare siç është përafrimi me legjislacionin dhe direktivat evropiane”, tha Voko.
Lorin Kadiu, nga Citizens Channel solli në vëmendje protestën e 2 Majit që mbajtën gazetarët përballë Parlamentit, duke sjell në vëmendje sulmet e përditshme dhe gjuhën që përdoret nga partitë politike ndaj medias dhe gazetarëve.
Kadiu theksoi nismat për vetërregullim dhe nevojën për ta forcuar atë.
“Sfidat janë të shumta po një prej tyre është edhe kërcënimi digjital dhe sofistikimi i tyre”, tha Kadiu.
Jorida Tabaku, kryesuese e Komitetit Kombëtar për Integrimin në Bashkimin Evropian tha në fjalën e saj se Parlamenti përpos se ka mbetur një noter i asaj që njihet si “shtet i kapur” “duhet të angazhohet në betejën për të kërkuar llogari dhe për të ndryshuar legjislacionin për të mbrojtur median dhe lirinë e saj”.
Tabaku theksoi se progres raportet e ndryshme dhe ndër vite shoqëruar me raportet e tjera ndërkombëtare, kanë dëshmuar një degradim të trishtë të lirisë së medias.
Së fundmi ajo u shpreh se detyra e Kuvendit dhe mbi të gjitha e opozitës në Parlament “është të mbrojmë median nga sistemi i korruptuar dhe që ka sponsorizuar një kulturë korruptive që sulmon të vërtetën kur ajo del nga media”. Kryeprokurori Olsian Çela, tha se nga Prokuroria ka një “angazhim serioz dhe këto raste po kthehen në prioritet për prokurorin”. Çela përmendi nevojën për më shumë bashkëpunim midis institucioneve të ndryshme. “Në 2023 kemi pasur 6 raste të denoncuara”, tha kryeprokurori Çela.
Etilda Gjonaj, zëvendës kryetare e Komisionit për Çështjet Evropiane, tha se është krijuar një grup me 2 ekspert të jashtëm për të analizuar legjislacionin shqiptar në lidhje me lirinë e medias, duke marrë në konsideratë sugjerimet nga raportimet ndërkombëtare
“Do të përfundojë në korrik të këtij viti dhe do të japë përpos analizës ku do të ndërhyet në ligjin për mediat por dhe në ligje të tjera”, tha Gjonaj.
Zëvendësministrja e Brendshme, Romina Kuko gjatë fjalës së saj u ndal tek sulmet e politikanëve ndaj gazetarëve.
Kuko tha se kanë krijuar një mekanizëm në ministrinë e brendshme, për të denoncuar rastet e sulmeve ndaj gazetarëve, por nuk bëri të qartë mënyrën se si bëhet ndërlidhja e këtij mekanizmi me gazetarët.
“Ka disa pika kontakti për të raportuar sulmet. Më pas kalojnë në policinë e shtetit ku kemi njerëz që drejtojnë sektorin e medias, kemi 12 pika në të gjitha qarqet sepse gazetaria ndodh në të gjithë Shqipërinë, që edhe gazetarët lokal të kenë akses. Garantimi për raportimin e rasteve jemi zgjuar 24 orë”, tha Kuko.
H.E Reinout Vos, ambasador i Holandës në Shqipëri, ndau shqetësimin e tij për lirinë e medias në Shqipëri.
“E shqetësuar për faktin që çështja e lirisë së shtypit në Shqipëri nuk po shkon mirë dhe ka shanse të larta që Shqipëria të bëjë më mirë”, tha ambasadori në fjalën e tij.
Albana Shala nga Free Press Unlimited bëri një prezantim të punës së organizatës në rajon teksa u ndal tek situata në Shqipëri, duke thënë se ndodhemi në vend të fundit sa i përket lirisë së medias.
“Nevoja për bashkëpunim me gjyqësorin, prokurorinë, policinë dhe vetë gazetarët për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me rëndësinë që ka media e lirë”, tha Shala.
Ajo ngiti si shqetësim mungesën e solidaritet mes gazetarëve dhe ekzistencën e një rrjeti apo shoqate të mirëfilltë që mbron të drejtat e gazetarëve dhe çon përpara lirinë e fjalës.
Burimi: https://citizens.al/2024/05/17/mungesa-e-sigurise-e-gazetareve-ben-bashke-palet-e-interesit/