NGA ESIONA KONOMI
Zgjedhjet e pranverës nga ku do të dalë parlamenti dhe qeveria e re do të monitorohen nga media në mënyrë të kufizuar dhe pa pasur mundësi për raportim të drejtpërdrejtë.
Kjo është fushata e 4-t ku partitë do të mbajnë gazetarët larg vendngjarjeve, pasi kanë instaluar sisteme të vetat për regjistrim, editim dhe transmetim të aktiviteteve elektorale.
Reporterët nuk marrin njoftime nga kandidatët, përfshirë dhe ata për kryeministra, se cila është axhenda e tyre ditore apo javore. Në këtë mënyrë, gazetarët nuk mund të ndjekin në terren takimet e subjekteve zgjedhore me votuesit.
Por edhe nëse media në rrugë burimore mëson mbajtjen e takimeve të caktuara dhe dëshiron të shkojë e të raportojë nga vendtakimet, kjo nuk lejohet nga stafet e sigurisë dhe zyrat e shtypit të kandidatëve. Kjo vlen kryesisht për liderët e rëndësishëm të partive.
Gazetarët, ftohen, në fakt detyrohen, që këto aktivitete të subjekteve zgjedhore t’i ndjekin livestream në rrjetet sociale të kandidatëve, në transmetime me regji, ku kamera ndizet/fiket apo fokusohet në funksion të qëllimeve propagandistike të projektit.
Në raste të tjera, redaksive ju dërgohen materiale të gatshme, të montuara, të paketuara e të zbukuruara në detaje nga zyrat e shtypit të kandidatëve. Kjo formë nuk ofron panoramim 360 gradë. Aty mungojnë zërat kritikë dhe nuk përfshihen të gjithë aktorët protagonistë në aktivitet.
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka shprehur në mënyrë të vazhdueshme shqetësim për këtë situatë.
Isa Myzyraj, Kryetar i AGSH, tha se pamjet e gatshme të aktiviteteve politike, ose të veprimtarive të institucioneve të ndryshme, “nuk janë asgjë më shumë sesa propagandë dhe një goditje e madhe e gazetarisë, lirisë së shtypit dhe demokracisë”.
“Gazetarët dhe mediat duhet të lejohet në çdo aktivitet publik, pavarësisht se kush e organizon atë, ta ndjekin nga afër dh eta përcjellin sipas këndvështrimit të tyre për publikun. Të gjitha përpjekjet që mediave tu serviren pamje të gatshme nuk kanë lidhje me lirinë e medias, por ato synojnë pengimin e punës së gazetarëve duke paraqitur një realitet krejt tjetër nga ai i vërteti, një realitet të kuruar që në dukje ngjason sikur gjithçka po shkon mirë”,-thotë kreu i AGSH.
Kjo çështje ka marrë edhe vëmendjen e organizatës Scidev, pjesë e Safe Journalist.
Blerjana Bino, drejtuese e Scidev, dhe hulumtuese e Safe Journalist Network e konsideron këtë realitet shqetësim serioz.
“Fushatat zgjedhore në Shqipëri janë karakterizuar ndër të tjera edhe nga shqetësime serioze mbi pavarësinë e medias dhe cilësinë e informacionit publik. Partitë politike e kanë normalizuar tashmë anashkalimin e gazetarisë profesionale dhe zëvendësimin e saj me PR apo propagandë duke ofruar materiale të gatshme audiovizuale dhe tekstuale, të cilat transmetohen pa asnjë ndërhyrje editoriale. Kjo praktikë minon rolin e medias si mbikëqyrëse dhe kufizon aftësinë e saj për të ofruar mbulim kritik dhe të pavarur të aktiviteteve elektorale. Kjo praktikë i pamundëson qytetarëve informacion të larmishëm, pavarur apo kritik. Duke përjashtuar gazetarët nga qasja e drejtpërdrejtë në eventet elektorale, aktorët politikë dominojneë dhe manipulojnë narrativën dhe i mohojnë publikut mundësinë për të marrë raportime të paanshme dhe të thelluara mbi procesin zgjedhor”,-thonë Bino.
Për drejtuesen e SCiDEV, një organizatë e përkushtuar për përmirësimin e mjedisit mediatik në vend, ky fenomen jo vetëm që dëmton transparencën e procesit zgjedhor, por gjithashtu gërryen besimin e publikut tek media dhe tek partitë.
“Pra media shndërrohet në një transmetuese pasive e propagandës politike, në vend që të jetë një pjesëmarrëse aktive në nxitjen e debatit demokratik. Ky fenomen pakëson diversitetin e pikëpamjeve dhe dëmton aftësinë e qytetarëve për të marrë vendime të informuara. Për të adresuar këtë problem, nevojiten etikë më e fortë mediatike, zbatimi i standardeve gazetareske dhe masa rregullatore që sigurojnë qasjen e medias në ngjarjet elektorale dhe aftësinë e saj për të verifikuar dhe kontekstualizuar informacionin në mënyrë të pavarur”,-përfundon Bino.
Në këto kushte, një përgjigje e nxituar do të ishte: gazetarët t’i bojkotojnë, të mos i transmetojë media pamjet e gatshme të partive.
Arsyet pse kjo kundërpërgjigje në dukje normale, nuk funksionon, janë dhënë nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Investigative.
Raporti i BIRN mbi pronësinë e medias në Shqipëri, publikuar në fund të vitit 2023 tregon se audienca dhe të ardhurat në tregun mediatik në Shqipëri vazhdojnë të jenë nën kontrollin e një grupi të vogël kompanish me pronësi familjare.
“Katër pronarët më të mëdhenj të stacioneve televizive pa pagesë kanë një pjesë të përbashkët të tregut prej 72.47%, e cila konsiderohet me risk të lartë përqendrimi. Vetëm dy pronarët kryesorë në këtë segment, kanë një zotërim të përbashkët të tregut prej 58.27%”,-thuhet në raport.
Sipas analizës së Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Investigative, “përqendrimi i lartë i audiencës dhe të ardhurave në tregun mediatik në një grusht biznesesh familjare e ka bërë dhe më të lehtë ndikimin e grupeve politike dhe veçanërisht të qeverisë mbi mediat, nëpërmjet subvencioneve të tërthorta për biznese të lidhura me kompani mediatike dhe lidhjeve të drejtpërdrejta të pronarëve të medias me politikanë”.
Sipas studimit, 98.34% e audiencës në tregun e medias audiovizive kontrollohet nga pronarë me lidhje politike ose që kanë marrë subvencione të drejtpërdrejta ose të tërthora nga shteti.
“Subvencionet dhe kontratat qeveritare nuk kufizohen vetëm në media, por shtrihen edhe në bizneset jomediatike të pronarëve, duke ndërthurur më tej interesat ekonomike me vendimet editoriale”,-tha BIRN.
Kjo situatë nuk ka ndryshuar e as nuk pritet të ndryshojë deri në zgjedhjet e ardhshme, duke krijuar një kontekst dekurajues për raportime mediatike të pavarura të fushatës elektorale, për një pasqyrim të saj në shumë kënde, për matjen e mbajtjes së premtimeve, apo për tu thelluar në kontrollin e fakteve.