SafeJournalists: Institucionet duhet të dënojnë manipulimet e rrezikshme të autoriteteve serbe dhe të mbrojnë sigurinë e gazetarëve.

Burimi: Sj
SafeJournalists: Institucionet duhet të dënojnë manipulimet e rrezikshme të autoriteteve serbe dhe të mbrojnë sigurinë e gazetarëve.
photo: canva

Rrjeti SafeJournalists dënon ashpër manipulimet dhe kërcënimet e rrezikshme të drejtuara ndaj gazetarëve dhe studentëve nga autoritetet serbe, nën udhëheqjen e Presidentit Aleksandar Vučić, në mes të protestave të mëdha në Serbi. Ky presion kulmoi me ekspozimin publik të rrezikut për sigurinë e Matej Devčić, një gazetar i portalit Telegram.hr, i cili po raportonte nga Serbia.

Sipas informacionit të disponueshëm, Vojislav Šešelj, një kriminel lufte i dënuar, publikoi të dhënat personale të Devčić në programin televiziv “Informer”. Televizioni transmetoi kartën e identitetit të Devčić me pretendimin se ai ishte pjesë e “trajnuesve” të huaj të liderëve të protestës, dhe gjithashtu u publikua adresa e hotelit ku ai po qëndronte.

Gazetari Matej Devčić deklaroi se ishte i shokuar nga këto akuza të pavërteta dhe të rrezikshme dhe nga publikimi i të dhënave të tij personale. Pyetja që mbetet është – si ka mundur që një televizion tabloid dhe një kriminel lufte i dënuar të siguronin të dhënat e tij personale? Kjo situatë lind dyshime për mundësinë e pjesëmarrjes së policisë serbe ose shërbimeve inteligjente, gjë që e bën këtë rast edhe më të rëndë.

Rrjeti SafeJournalists i bën thirrje institucioneve kompetente të Republikës së Serbisë që të hetojnë me urgjencë dhe të publikojnë se kush ka mundësuar disponimin e të dhënave personale të gazetarëve dhe të sigurojnë që ata që janë përgjegjës të ndiqen penalisht.

Rrjeti SJ mirëpret reagimin e Ministrisë së Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Kroacisë, e cila e dënoi këtë sjellje. Po ashtu, i bëjmë thirrje autoriteteve kroate, përfshirë Presidentin e Republikës së Kroacisë, Kryeministrin dhe Ministrin e Kulturës dhe Mediave, që të dënojnë publikisht këtë akt dhe të marrin të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur sigurinë e qytetarëve kroatë që banojnë në Serbi.

Rrjeti SafeJournalists do te informojë palët përkatëse kombëtare dhe ndërkombëtare.

Çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.

 

Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagrebe – Beograd – Podgoricë, 17.1.2025

 

Shoqata e Gazetarëve të Kosovës

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë

Shoqata e Gazetarëve të BiH

Shoqata e Gazetarëve të Kroacisë

Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë

Sindikata e Medias e Malit të Zi