
Në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për të avancuar lirinë e medias dhe për të përmirësuar sigurinë e gazetarëve në Shqipëri, SCiDEV, BIRN Albania dhe Qendra Faktoje në bashkëpunim të ngushtë me OBC Transeuropa organizuan një tryezë diskutimi që mblodhi së bashku profesionistë të medias, studiues dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Ky aktivitet shërbeu si një platformë për të paraqitur dhe diskutuar gjetjet kryesore nga një hulumtim lidhur me perceptimet e gazetarëve lidhur me lirinë e medias në Shqipëri. Pjesëmarrësit u njohën gjithashtu me Raportin Hije për Avokimin Mediatik në Shqipëri, i cili përfshinte një sërë rekomandimesh të rëndësishme për përmirësimin e mjedisit mediatik në vend.
Një pikë kulmore e diskutimit ishte prezantimi i Treguesve për Nivelin e Lirisë së Medias dhe Sigurisë së Gazetarëve 2023 për Shqipërinë nga hulumtuesja znj. Blerjana Bino. Raporti ofron një pamje shqetësuese të gjendjes së lirisë së medias në vend, duke treguar se gazetaria e pavarur dhe profesionale është gjithnjë e më shumë nën presion për shkak të një sërë sfidash strukturore.
Ndër problemet më të theksuara janë ndërthurjet e thella midis interesave politike, ekonomike dhe mediatike, përqendrimi i pronësisë së medias, si dhe mungesa e transparencës. Këto faktorë kontribuojnë në krijimin e një mjedisi ku gazetaria e pavarur e ka gjithnjë e më të vështirë të mbijetojë. Këto sfida rëndohen edhe më tej nga mbrojtja e pamjaftueshme ligjore, kushtet e vështira të punës dhe kërcënimet e vazhdueshme ndaj sigurisë së gazetarëve.
Gjatë tryezës, pjesëmarrësit ndanë përvojat e tyre dhe dhanë komente të vlefshme mbi të dhënat dhe gjetjet e prezantuara. Kontributi i tyre theksoi edhe një herë nevojën urgjente për reforma sistemike që të mbështesin një shtyp të lirë dhe të sigurt në Shqipëri.
Raporti bën thirrje për një qasje gjithëpërfshirëse në adresimin e këtyre sfidave. Ndër rekomandimet kryesore përfshihen:
- Forcimi i kuadrit ligjor për të mbrojtur më mirë gazetarët dhe punonjësit e medias.
- Përmirësimi i kushteve të punës dhe sigurisë në vendin e punës për profesionistët e medias.
- Rritja e kapaciteteve të institucioneve për të reaguar ndaj kërcënimeve dhe për të garantuar të drejtat e gazetarëve.
Ndërsa aktorët e ndryshëm të peizazhit mediatik vazhdojnë të angazhohen në dialog dhe avokim, nisma të tilla mbeten thelbësore për të nxitur transparencën, llogaridhënien dhe integritetin e gazetarisë në Shqipëri.