Rrjetit SafeJournalists dërgon Letër Shqetësimi Kuvendit të Shqipërisë lidhur me cënime të përsëritura të aksesit të gazetarëve në Kuvendin e Shqipërisë

Burimi: SJ
Rrjetit SafeJournalists dërgon Letër Shqetësimi Kuvendit të Shqipërisë lidhur me cënime të përsëritura të aksesit të gazetarëve në Kuvendin e Shqipërisë
photo: canva

Rrjeti SafeJournalists dërgoi një letër shqetësimi Kuvendit të Shqipërisë, për të shprehur shqetësimin tonë në lidhje me veprimet e Gardës së Republikës më 17 tetor 2024, të cilat pasqyrojnë një model të përsëritur dhe shqetësues të pengimit të aksesit të gazetarëve dhe minimit të lirisë së medias. Atë ditë gazetarëve që mbulonin zhvillimet parlamentare iu mohua aksesi nga Garda. Ata jo vetëm që u penguan të filmonin në hyrje, ku deputetët po vinin mes tensioneve të shtuara, por u ndalua edhe hyrja në vetë seancën plenare sipas raportimeve të gazetarëve dhe reporterëve.

Rrjeti SafeJournalists thekson se ky incident nuk është i izoluar, por pjesë e një modeli shqetësues, të përsëritur të kufizimit të aksesit të medias brenda Kuvendit të Shqipërisë. Incidente të ngjashme u dokumentuan nga Rrjeti i SafeJournalists gjatë vitit të kaluar, përfshirë më 9 tetor 2023, kur gazetarëve iu mohua qasja në ambientet parlamentare me arsyetime të paqarta. Incidente të tjera pasuan në vitin 2024: Më 6 shkurt gazetari Ardit Hoxha u shty fizikisht dhe u largua nga Garda, duke e penguar të filmonte; më 17 maj, ekipeve mediatike u ndaluan të filmonin një takim me gazetarët e shkarkuar të RTSH-së, pavarësisht kërkesës formale dhe njoftimit publik; më 30 maj, gazetarët u penguan gjatë një seance plenare teksa Garda tentoi t’i largonte nga galeria. Së fundmi, më 3 tetor 2024, gazetarët u penguan fizikisht të hynin në zhvillimet parlamentare kur hyrja kryesore ishte mbyllur qëllimisht.

Rrjeti SafeJournalists i bën thirrje Kuvendit të Shqipërisë që ta trajtojë këtë çështje me urgjencën dhe seriozitetin që e kërkon, duke marrë parasysh shqetësimet e ngritura nga gazetarët. Rrjeti SafeJournalists shpreson që do të ndërmerren hapa të menjëhershëm për të krijuar një mjedis ku gazetarët mund të ushtrojnë të drejtën e tyre për të raportuar lirisht, pasi kjo është një shtyllë themelore e çdo shoqërie demokratike.

Letrën e Rrjetit SafeJournalists e gjeni këtu.