SJ: Gazetarët në Bosnje dhe Hercegovinë kanë marrë kërcënime me vdekje për tre muaj

SJ: Gazetarët në Bosnje dhe Hercegovinë kanë marrë kërcënime me vdekje për tre muaj

Që nga muaji maj, redaksia e portalit eTrafika të Banja Lukës ka marrë kërcënime me vdekje përmes rrjetit social Facebook nga një farë Sinisa Golub, për të cilin portali shkroi rreth katër vjet më parë, pasi kishte operuar një qen në një klinikë ilegale shtëpiake. Kërcënimet janë raportuar në polici dhe rasti aktualisht ndodhet në Prokurorinë Publike të Qarkut në Banja Lukë.

Në mesazhe urrejtjeje, Sinisa Golub njofton “gjakderdhje” për gazetarët dhe redaktorët e eTrafika, duke iu referuar të drejtës zakonore shqiptare, pra hakmarrjes së gjakut. “A do të ketë falje apo gjak, kjo varet nga sistemi ligjor i vendit tonë dhe nga ju”, shkruante Golub në një mesazh të dërguar më 4 maj. Pas kësaj pasuan mesazhe të tjera (3 korrik dhe 13 korrik) në të cilat Golub thotë se e di se ku janë selitë e kësaj media dhe se duhet ta “kallëzojnë në polici” që “policia të jetë më e shpejtë se ai”, pasi ai nuk është” përgjegjës për veprimet e tij”. Në mesazhin e fundit ai kërkon sërish “të hiqet teksti i rremë” ose “përndryshe do të ketë gjak”.

Kryeredaktorja e portalit eTrafika, Vanja Stokiq, tha për rrjetin SafeJournalists se gazetarët e eTrafika janë shumë të shqetësuar sepse kërcënimet nuk ndalen edhe pasi rasti është raportuar në polici.

“Jemi shumë të shqetësuar sepse kërcënimet nuk ndalen dhe kjo zgjat më shumë se dy muaj. Ai nuk është ndalur as pasi kemi raportuar për kërcënime në polici. Është veçanërisht shqetësues fakti që ai na shkroi në një mesazh se nuk mban përgjegjësi për veprimet e tij dhe se nuk do të shkojë në burg por në trajtim. Do të thotë ai mendon se mund të na bëjë gjithçka, pa pasoja”, tha redaktori i portalit eTrafika.

Ajo shtoi se policia ka vepruar në mënyrë korrekte dhe profesionale që në fillim, por se koha është esenciale këtu dhe se Prokuroria e Banja Lukës duhet t’u japë përparësi rasteve të tilla.

Maja Radevic nga Shoqata e Gazetarëve të BiH, hulumtuese e rrjetit SafeJournalists për BiH, thotë se Asociacioni pyeti Ministrinë e Punëve të Brendshme të Republikës së Srpska se çfarë po ndodh me rastin.

“Kemi marrë përgjigje se kallëzimi i është përcjellë Prokurorisë Publike të Qarkut në Banja Lukë dhe se prokurori ka deklaruar se në ato mesazhe nuk ka elemente të veprës penale, sepse Golub nuk i ka dërguar kërcënime askujt personalisht, por redaksia e portalit?! Një shpjegim i tillë është, të paktën, befasues dhe vetëm një konfirmim i mënyrës sesi prokurorët veprojnë kur bëhet fjalë për kërcënimet dhe sulmet ndaj gazetarëve. Nëse rastësisht kërcënime të tilla brutale do t’i drejtoheshin një politikani, personi që i ka dërguar do të ishte në paraburgim shumë kohë më parë”, tha Radevic.

Rrjeti SafeJournalists, i cili përfaqëson më shumë se 8200 profesionistë të medias në Ballkanin Perëndimor, dënon kërcënimet drejtuar gazetarëve të portalit eTrafika dhe e konsideron shqetësues faktin që Prokuroria e BeH-së i relativizon këto kërcënime. Rrjeti SJ i bashkohet organizatës partnere BH Journalists Association duke kërkuar që institucionet kompetente në Bosnje dhe Hercegovinë të marrin urgjentisht të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur gazetarët dhe për të shqyrtuar të gjitha rrethanat e rastit dhe për të përcaktuar nëse ekziston vërtet rrezik i kërcënimit ndaj gazetarët e kësaj redaksie.

Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.

 

Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë – Tiranë, 21 korrik 2022

 

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë

Shoqata e Gazetarëve të BH

Shoqata e Gazetarëve Kroatë

Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë

Sindikata e Mediave të Malit të Zi