Bashkia e Tiranës “dikton” lajmet propagandistike në media, problem transparenca e llogaridhënia

Burimi: Elvin Luku
Bashkia e Tiranës “dikton” lajmet propagandistike në media, problem transparenca e llogaridhënia

Mediat transmetojnë të pandryshuara lajmet e gatshme të përgatitura nga “redaksia” prej 25 punonjësish në Bashkinë e Tiranës. MediaLook ka monitoruar 45 media, nga të cilat ka evidentuar se tekstet e raportimeve të dhjetë mediave më “besnike” të institucionit, por jo vetëm, janë të njëjta me njoftimet e shtyp, mesatarisht në masën 93-99.5%. Propaganda ka pësuar një rritje drastike krahasuar me 5-vite më parë, kur mesatarja e përputhshmërisë varionte nga 47-93%. Ndërkaq, përtej lajmeve të gatshme, reporterët  pohojnë se e kanë të pamundur të ndjekin aktivitetet dhe pyesin kryebashkiakun Veliaj, pasi njoftimet “last minute” janë karakterit anonçues, në prag të aktiviteteve që regjistrohen e transmetohen në Facebook. Në pesë vitet e fundit Kreu i Bashkisë së Tiranës nuk ka zhvilluar asnjë konferencë për shtyp me gazetarët, duke ngritur pikëpyetje mbi raportin e tij me reporterët dhe transparencën e llogaridhënien e institucionit.     

Bashkia e Tiranës ka një influencë të madhe në redaksitë e mediave kombëtare e lokale të cilat publikojnë pa asnjë filtër informacionet e dërguara nga zyra e PR-it, duke lejuar bombardimin me propagandë politike të opinionit publik.

MediaLook ka hulumtuar raportin me mediat, llogaridhënien si dhe një pjesë të aktiviteteve publike të Bashkisë Tiranë për një periudhë 20 ditore, dhjetë ditë para nisjes së fushatës dhe dhjetë ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale të 14 Majit 2023. Duke përdorur platformën NewsLab, të krijuar prej MediaLook, e cila është e lidhur me motorët e kërkimit, janë gjeneruar linqet dhe verifikuar lajmet e mediave në versionin e tyre online, që kanë përdorur të njëjtën strukturë fjalie me njoftimet e Bashkisë Tiranë. Platforma kalkulon përputhshmërinë në numër dhe përqindje. Të dhënat kanë kaluar dhe në një filtër të dytë manual. (akseso databazën e plotë)     

Nga ky vëzhgim rezulton se pavarësisht se gazetarët nuk kanë qenë të pranishëm në aktivitetet e institucionit publik, materialet e gatshme janë publikuar në faqet e mediave, sikundër janë dërguar nga zyra e shtypit pranë Bashkisë Tiranë. Fokusi kryesor në këto raportime të parapërgatitura është kryebashkiaku Erion Veliaj, materialet dhe sinkronet e të cilit, në pjesën dërrmuese, transmetohen pa u redaktuar.

Në total, nga 17 njoftime për shtyp të konceptuara në formën e lajmit të gatshëm dhe të shpërndara nga institucioni në 20 ditë të monitoruara, janë prodhuar 294 lajme nga 45 redaksi mediash, që përdorin të njëjtën strukturë fjalish dhe propagandojnë të njëjtin lajm.

Në radhët e dhjetë mediave të para të evidentuara nga hulumtimi i MediaLook, nga 45 media në total, përputhshmëria e përmbajtjes mes njoftimit të Bashkisë Tiranë me lajmin e publikuar varion nga 93-99.5%. Mes mediave të klasifikuara në këtë dhjetëshe janë portale online, gazeta dhe televizione, përfshi ato kombëtare. (akseso lajmet në databazën)

 

Transmetimi i materialeve të gatshme nga mediat në të tilla nivele shënon një rritje drastike të lajmeve propagandistike krahasuar me 5-vite më parë, ku është aplikuar e njëjta metodologji, e ku mesatarja e përputhshmërisë mes njoftimeve të shtypit nga Bashkia Tiranë dhe raportimeve të medias varionte nga 47-93%.

Ajo që konstatohet nga monitorimi i fundit lidhet me faktin se publikimi masiv i këtyre lajmeve të pa filtruara nga redaksitë nuk lidhet me interesin publik apo me informacionin utilitar për qytetarët. Për mediat, çdo lajm i Bashkisë Tiranë përbën interes publik pasi kurba e transmetimit të kronikave të gatshme është thuajse e njëjtë, pavarësisht tematikave me karakter social, politik, kulturor, sportiv, etj.

Gjithashtu, nga totali i këtyre lajmeve të publikuara uniform në media, për periudhën e analizuar, vërehet se në asnjë rast nuk ka patur një burim të dytë, përveç atij të Bashkisë Tiranë.

Disa prej drejtuesve e kryeredaktorëve të lajmeve që janë kontaktuar në Top Channel apo Gazeta Dita nuk kanë dhënë një koment, ndërsa editorë të tjerë në ABC NewsLexo.al e Gazeta Fjala i kanë cilësuar këto si pasqyrime normale të aktiviteteve të Bashkisë.

Ajo që të bën përshtypje është se një pjesë e konsiderueshme e reporterëve të redaksive të uebit pohojnë “off record” se për lajmet që vijnë të gatshme nga institucioni i Bashkisë Tiranë “kemi udhëzim nga drejtuesit t’i publikojmë siç janë, ose me ndryshime të vogla”, fakt ky që konfirmohet nga monitorimi.

Kjo tregon se media ka arritur në situatën e prodhimit të lajmeve nga zyrat publike. Kronikat televizive dhe lajmet shpërndahet si spotet publicitare ku media nuk e ka të drejtën të ndërhyjë”, – shprehet Enton Abilekaj, drejtuesi i portalit “Dosja.al”. Sipas tij “punonjësi i zyrës së shtypit të bashkisë është njëherësh dhe gazetari mediave kryesore, që transmetojnë besnikërisht lajmin e tij, pas asnjë filtër të së vërtetës”.

Në fakt, aparati i punonjësve që merren me median pranë Bashkisë Tiranë, është i tillë që do e lakmonte çdo redaksi lajmesh, përfshi ato kombëtare. Zyrtarisht institucioni pohon se “pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Medias dhe Komunikimit janë të angazhuar 25 punonjës, nga të cilët tetë merren drejtpërdrejtë me mediat dhe publikun, gjashtë prej tyre monitorojnë mediat dhe dhjetë të tjerë me komunikimin dixhital”.

Për studiuesit, publikimi i lajmeve të gatshme është problematikë që lidhet me kapjen e mediave nga politika. “Një shkallë kaq e lartë e ngjashmërisë së lajmeve me përmbajtjen e njoftimeve për shtyp, tregon që kemi media të cilat janë pothuajse nën kontroll të plotë të politikës”, – shprehet Erlis Çela, pedagog i Shkencave të Komunikimit pranë Universitetit Bedër. Sipas tij problemi qëndron në “marrëdhëniet e krijuara në trinomin media-politikë-biznes, të cilat janë jo transparente dhe të bazuara në interesa përfitimi.

Një qëndrim të ngjashëm ndan edhe Blerjana Bino, studiuese dhe autore e raportit të përvitshëm Journalists’ Safety in Albania. Sipas saj, publikimi i materialeve të parapërgatitura tregon “dobësinë e medias përballë pushtetit dhe lidhjet e shumëfishta të interesave të fshehur mes politikës, biznesit dhe medias”. Bino shton se përputhshmëria e lajmeve me njoftimet e Bashkisë Tiranë është “tregues i faktit që qytetarët shqiptar bombardohen me propagandë dhe jo më informacion cilësor, të pavarur dhe të verifikuar”.

Pa transparencë dhe llogaridhënie! Asnjë konferencë përballë gazetarëve në pesë vitet e fundit

Publikimi i kronikave të gatshme është vetëm njëra anë e medaljes. Nga bisedat me reporterët e terrenit kuptohet se zyra e PR-it të Bashkisë Tiranë ka krijuar një strategji në dukje transparente dhe llogaridhënëse, por që në fakt nuk rezulton e tillë.

I kontaktuar zyrtarisht përmes një kërkese për informacion, institucioni publik konfirmon se në pesë vitet e fundit nuk ka kryer asnjë konferencë për mediat, ku kreu i bashkisë Erion Veliaj të përballet me pyetjet e gazetarëve, për problematika të ndryshme.

Fillimisht, në përgjigjen e saj të parë institucioni i Bashkisë e anashkaloi pyetjen në lidhje me numrin e konferencave të mbajtur në prani të mediave. Pas insistimit të MediaLook, duke angazhuar dhe Komisionerin Publik, institucioni ka ripërsëritur përgjigjen e dhënë më herët, ndërsa shton se “përveç informacionit që ju është vënë në dispozicion nuk disponojmë të dhëna të tjera…

Nga ana tjetër, gazetarët pohojnë se e kanë shumë të vështirë të jenë të pranishëm në aktivitete dhe të pyesin drejtpërdrejtë kryebashkiakun Veliaj, pasi ata njoftohen vetëm formalisht, pak përpara nisjes së aktiviteteve me regji.

Zyrtarisht, Bashkia Tiranës pohon se “aktivitetet e saj janë publike dhe të hapura për pjesëmarrjen e gazetarëve” dhe se i njofton vazhdimisht këto të fundit të jenë të prezentë, duke shtuar se “është në të drejtën e secilës media që të jetë e pranishme ose jo në këto aktivitete”.

Por reporterët e mediave gjeneraliste, informative dhe online pohojnë se në rastet kur ka njoftime nga zyra për marrëdhëniet me median pranë Bashkisë Tiranë “ato janë të karakterit anonçues dhe njoftimet vijnë pak minuta përpara se ato të ndodhin dhe transmetohen live në faqen e kryebashkiakut Veliaj”. Kjo sipas tyre e bën të pamundur mbulimin dhe ndjekjen në kohë të aktivitetit:

Përshëndetje! Pas pak në FB, Kryetari Veliaj inspekton përfundimin e punimeve për ndërtimin e godinës nr.18, në lagjen e re “5 Maji”. FLM! (Njoftim, dt. 28 shtator 2023)
PërshëndetjePas pak në FB, Kryetari Veliaj inspekton gjatë natës asfaltimin e rrugës “Muzakët”, në Njësinë 9, FLM! (Njoftim, dt. 1 Tetor 2023)
Përshëndetje! Në orën 16:00 zhvillohet mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak. Për shkak të hapësirave të ngushta në sallë, mbledhja do të jetë me regji dhe do të transmetohet live dhe e plotë në faqen zyrtare të Këshillit Bashkiak të Tiranës në Facebook. Faleminderit! (Njoftim, dt. 15 shtator 2023)

Sikurse mund të konfirmohet edhe nga materialet video në faqen e Facebook konstatohet lehtësisht mungesa e pranisë së gazetarëve në këto aktivitete.

“Kjo nuk është e rastësishme!”, – shprehet gazetari, Lorin Kadiu. Ai shton se “zgjedhja e kryetarit të Bashkisë për tu zhdukur nga mikrofonat e gazetarëve ka ardhur bashkë me krijimin e një aparati të sofistikuar dhe agresiv të PR-it që numëron dhjetëra punonjës dhe qindra mijëra euro pajisje…” Drejtuesi i Citizens Channel e krahason këtë strukturë, të ngritur me paratë e taksapaguesve me “Ministrinë e së vërtetës” në novelën 1984 të Geroge Oruell, që, për nga misioni, është “të krijojë nga një gënjeshtër çdo ditë”.

Propaganda si model qeverisje qendrore e lokale

Përpjekja për të kontrolluar mediat dhe bombarduar opinionin me propagandë nuk është një fenomen i ri dhe i lokalizuar vetëm në Bashkinë e Tiranës.

Veçanërisht pas viteve 2000 ka patur synime të vazhdueshme të pushtetit për kontrollin e mediave private, ndërsa sot propaganda mund të konsiderohet si model qeverisje në nivel qendror e lokal.

Gazetari Enton Abilekaj me një përvojë prej afro tre dekadash në media tregon se “nga viti 2005, Berisha “reflektoi prej eksperiencës së socialisteve” dhe arriti të fuste nën kontroll disa TV private, por kishte edhe kundërshtare. Kulmin e periudhës 1997- 2005 e ka arritur Meta si Kryeministër, që arriti të blinte me fonde shtetërore gjithë mediat, edhe opozitaret”, – pohon gazetari.

Duke u ndalur te politikani Edi Rama, Abilekaj analizon se “ai shënoi rekorde, edhe si Kryetar Bashkie, edhe si Kryeministër”. Sipas drejtuesit të Dosja.al “në kohën kur drejtonte Bashkinë e Tiranës, doli shprehja një pallat një gazetë, sepse për çdo leje ndërtimi hapej një gazetë e re pro Ramës. Si kryeministër, përveçse mori në kontroll të gjithë televizionet, themeloi dhe stilin e shkrimit te lajmit ne zyrat e tij. Këtë po bën dhe Veliaj sot!…, – përfundon Abilekaj.

Edi Rama ishte i pari kryeministër në Europë që në Mars të vitit 2017 krijoi televizionin e tij online “ERTV”, në të cilin transmetonte të gjitha aktivitetet politike me regji. Qëllimi i pohuar nga vetë kreu i qeverisë në atë kohë ishte të kryente komunikime të drejtpërdrejta pa ndërmjetësimin e gazetarëve, të cilët ai vazhdimisht i etiketonte si “kazanë mediatikë”.

Pas kësaj, qeveria “Rama 2” tentoi miratimin e “Paketës Antishpifje”. Kjo përpjekje, që më shumë sesa rregullonte shpifjen, e përdorte atë si mjet për të goditur me gjoba marramendëse portalet kritike online, u frenua pas rezistencës së ashpër të organizatave mediatike vendase e ndërkombëtare.

Në vitin 2021 Këshilli i Ministrave vendosi krijimin e Agjencisë për Median dhe Informimin me qëllim centralizimin dhe kontrollin e informacionit të dikastereve publike përpara komunikimit me median dhe së fundi, pak përpara zgjedhjeve të 14 Majit, kryeministri u rishfaq në skenë në rolin e moderatorit në Podcast-in kryeministror “Flasim”.

Politika vijon e flet, media propagandon, qytetari vegjeton!

Burimi i artikullit:

Bashkia e Tiranës “dikton” lajmet propagandistike në media, problem transparenca e llogaridhënia