Faktoje nën sulm: Përpjekjet për integritetin e medias në Shqipëri

Faktoje nën sulm: Përpjekjet për integritetin e medias në Shqipëri

Faktoje, organizata e vetme e verifikimit te fakteve në Shqipëri, pjesë e rrjetit IFCSN dhe EFCSN, ka qenë objekt i sulmeve në rritje gjatë viteve të fundit, të cilat janë intensifikuar javët e fundit. Këto sulme vijnë nga media të ndryshme, figura publike dhe platforma online. Ky artikull ofron një përmbledhje të këtyre sulmeve, duke shqyrtuar arsyet e tyre dhe ndikimet më të gjera në lirinë e medias dhe integritetin e gazetarisë në Shqipëri.

Sulmet kundër ekipit të Faktojes, i cili zbaton Kodin e Etikës dhe të Metodologjisë së verifikimit të fakteve të certifikuara ndërkombëtarisht, kanë ardhur nga mediume të ndryshmë, të cilat janë prekur nga verifikimet e Faktoje mbi artikuj të publikuar dhe nuk kanë pranuar të korrigjojnë shkrimet e tyre.

Sulmet kundër Faktoje përqendrohen kryesisht në akuza për censurë digjitale, duke pretenduar se organizata bashkëpunon me platforma të mediave sociale si META (Facebook) për të shtypur zërat kundërshtues dhe opinionet kritike. Këto pretendime sugjerojnë se Faktoje direkt çaktivizon ose bllokon llogaritë e mediave sociale dhe heq postime mbi tema veçanërisht kontroverse. Kjo akuzë është bërë baza e një fushate më të gjerë shpifjesh kundër Faktoje, ku kundërshtarët pretendojnë se organizata shpërdoron fondet e donatorëve, operon me anshmëri politike dhe merr pjesë në një konspiracion ndërkombëtar.

Stafi i Faktoje, përfshirë edhe Drejtoren Ekzekutive, është bërë subjekt i ngacmimeve personale. Shembuj specifikë përfshijnë publikimin e fotove personale të anëtarëve të stafit kur ishin të mitur, ekspozimin e të dhënave private online dhe sulme të organizuara në rrjetet sociale që nxisin linçime dhe shpifje. Figura publike dhe konspiracionistë radikalë kanë akuzuar në mënyrë të rreme Faktojen për manipulimin e peizazhit mediatik në Shqipëri, si pjesë e një agjende të lidhur me George Soros. Stafi i Faktoje tregon për “Safe Journalists” se ata vazhdimisht marrin telefonata, email dhe mesazhe në WhatsApp kërcënuese ose intimiduese duke përfshirë politikanë dhe biznese. 

Akuza për keqmenaxhimin e fondeve ka forcuar më tej sulmet, ku kritikët pretendojnë se Faktojes i mungon transparenca e menaxhimit të fondeve ndërkombëtare. Kjo narrativë është amplifikuar nga portale online, media dhe figura publike që kanë publikuar artikuj shpifës, duke pretenduar se Faktoje shpërdoron fondet që merr për të promovuar integritetin e medias dhe parandalimin e dezinformimit. Edhe pse të pambështetura nga prova, këto akuza janë përhapur gjerësisht, duke krijuar një atmosferë mosbesimi rreth Faktoje.

Armiqësia ndaj Faktoje buron nga roli i saj në verifikimin e fakteve mbi tema të ndjeshme si COVID-19 dhe ndryshimet klimatike, duke sfiduar dezinformimin e përhapur nga konspiracionistë, grupe anti-qeveritare dhe aktorë radikalë. Duke zbuluar dhe përgënjeshtruar këto narrativa të rreme, Faktoje prish agjendat e tyre, duke u bërë një objektiv për hakmarrje. Këto grupe e shohin punën e Faktoje si një kërcënim, duke çuar në sulme të koordinuara.

Një faktor i rëndësishëm që nxit sulmet ndaj Faktoje është pretendimi se organizata, së bashku me organizatat e shoqërisë civile të financuara nga Soros, është pjesë e një përpjekjeje të koordinuar për të dobësuar opozitën dhe grupet e tjera kritike, si dhe për të promovuar agjenda të debatueshme, si shpërngulja e popullsisë së vendit. Ndërsa këto akuza janë të pabaza, ato shpesh përdoren nga figura publike dhe media online për të minuar besueshmërinë e Faktoje. Duke përdorur Soros si simbol të ndërhyrjes së huaj, këto grupe shfrytëzojnë frikën e influencës së jashtme, duke e paraqitur Faktoje si pjesë e një skeme ndërkombëtare, në vend të një organizate të pavarur që përqendrohet në integritetin e medias. Këto akuza janë tërësisht të pabaza sepse Faktoje në këto 5 vite nuk është financuar asnjëherë nga Fondacioni për një Shoqëri të Hapur – Soros, sikurse thotë Drejtuesja e Faktoje për Safe Journalists. 

Për më tepër, cilësia e përmbajtjes mediatike në Shqipëri është përkeqësuar, me sensacionalizmin dhe përmbajtjen që synon klikime që po dominojnë. Dobësimi i gazetarisë etike dhe praktikave të vetërregullimit ka krijuar një mjedis ku dezinformimi përhapet lehtësisht. Shumë media prioritizojnë fitimin financiar mbi integritetin gazetaresk në këtë mjedis, duke publikuar shpesh histori sensacionaliste që injorojnë saktësinë faktike. Kontrolli i fakteve i Faktoje mbi këto mangësi e bëjnë atë objektiv për sulme shpifëse.

Sulmet ndaj Faktoje ndikojnë seriozisht në lirinë e medias dhe luftën kundër dezinformimit në Shqipëri. Fushatat e qëndrueshme të shpifjeve dhe ngacmimeve krijojnë një mjedis armiqësor për verifikuesit e fakteve, duke shkaktuar një efekt frikësimi mbi gazetarinë e pavarur. Kjo dekurajon verifikuesit e fakteve nga sfidimi i interesave të forta politike ose financiare dhe kufizon përpjekjet për të luftuar dezinformimin. Për më tepër, përhapja e akuzave të rreme, si censura dhe keqmenaxhimi financiar, gërryen besimin e publikut në organizatat mediatike. Kur këto pretendime mbeten të pakontrolluara, ato minojnë besueshmërinë e verifikuesve të fakteve dhe dobësojnë besimin e publikut në integritetin e medias.

Ngacmimi personal i stafit të Faktoje, përfshirë ekspozimin e informacionit privat dhe linçimin online, paraqet rreziqe të mëdha për sigurinë dhe dëmton moralin. Këto sulme jo vetëm që rrezikojnë mirëqenien e gazetarëve, por gjithashtu dekurajojnë të tjerët që të angazhohen në punën e verifikimit të fakteve. Ndërkohë, përpjekjet për të diskredituar Faktoje minojnë rolin e saj kritik si një verifikues i fakteve për META, duke lejuar që dezinformimi të përhapet i pakontrolluar dhe dobësuar përpjekjet më të gjera për të luftuar narrativat e rreme në Shqipëri.

Safe Journalists rekomandon që Faktoje të krijojë një kornizë raportimi të rregullt që ofron të dhëna të detajuara mbi aktivitetet e saj të verifikimit të fakteve. Duke ndarë këto të dhëna në mënyrë të vazhdueshme me palët e interesuara, Faktoje mund të sigurojë që roli i saj si një verifikues i fakteve për META të kuptohet plotësisht dhe të vazhdoj dialogun me me palët e interesit për rolin e saj të rëndësishëm.

Për më tepër, shoqatat e gazetarëve dhe organizatat e tjera për lirinë e medias dhe shoqërinë civile duhet të forcojnë lidhjet për të ndërtuar një front të bashkuar për ruajtjen e integritetit të medias dhe standardeve etike të gazetarisë, përfshirë forcimin e masave të vetërregullimit.

Safe Journalists u bën thirrje të gjitha mediave të ruajnë standardet më të larta të integritetit gazetaresk. Është e domosdoshme që mediat të prioritizojnë saktësinë, transparencën dhe përgjegjshmërinë për të krijuar besimin e publikut tek media dhe për të luftuar efektivisht dezinformimin.

Palët e interesuara të përfshira në përmirësimin e integritetit të medias, lirisë së medias dhe sigurisë së gazetarëve në Shqipëri dhe më gjerë, duhet të vazhdojnë bashkëpunimin e tyre me Faktoje dhe mediat e tjera të pavarura dhe profesionale. Është thelbësore që ata t’i ofrojnë mbështetjen e nevojshme për të përballuar sfidat e vazhdueshme dhe për të forcuar integritetin e medias.

Palët e interesuara duhet të mbështesin përpjekjet e Faktoje dhe organizatave të tjera për të edukuar publikun dhe profesionistët e medias mbi rëndësinë e verifikimit të fakteve, dezinformimit dhe etikës mediatike.

Tensioni midis rojtarëve publik, duke përfshirë verifikuesit e fakteve si Faktoje dhe media të tjera ose figura publike, nxjerr në pah sfidat më të mëdha të balancimit të llogaridhënies dhe lirisë së shprehjes. Ndërsa verifikuesit e fakteve synojnë të luftojnë dezinformimin me korrigjime të bazuara në prova, shpesh përplasen me aktorët mediatikë që i japin përparësi sensacionalizmit, agjendave politike ose përmbajtjes që synon klikime mbi integritetin gazetaresk.

Ky konflikt bëhet më i ndërlikuar përmes partneriteteve me platforma si META, ku përpjekjet për të luftuar dezinformimin mund të perceptohen si censurë, veçanërisht mbi tema politike të ndjeshme. Ndërsa rojtarët publik konkurrojnë për influencë mbi narrativat publike, akuzat për anshmëri ose censurë shpesh minojnë besueshmërinë e njëra-tjetrës, duke e bërë më të vështirë për publikun të dallojë informacionin e besueshëm. Në dritën e këtyre tensioneve, ne bëjmë thirrje për dialog konstruktiv midis këtyre aktorëve për të adresuar dallimet e tyre dhe për të siguruar që të gjitha palët të mbajnë nivelet më të larta të integritetit dhe etikës në punën e tyre, duke promovuar besimin e publikut dhe integritetin e medias.