Kërkuesja Blerjana Bino ndan trendet kryesore mbi Sigurinë e Gazetarëve dhe Lirinë e Medias në Shqipëri për vitin 2021

Burimi: safe journalists albania
Kërkuesja Blerjana Bino ndan trendet kryesore mbi Sigurinë e Gazetarëve dhe Lirinë e Medias në Shqipëri për vitin 2021

Kërkuesja e Rrjetit të Gazetarëve të Sigurt për Shqipërinë, Dr. Blerjana Bino po merr pjesë në Konferencën Rajonale të Safe Journalists e cila mbahet në Sarajevë ku pati mundësinë të ndaj trendet kryesore që prekin Sigurinë e Gazetarëve dhe Lirinë e Medias në Shqipëri për vitin 2021.

Kjo konferencë organizohet nga Rrjeti SafeJournalists i shtatë shteteve të Ballkanit Perëndimor, për të prezantuar gjetjet e Indikatorit për Lirinë e Medieve dhe Sigurinë e Gazetarëve.

Në Shqipëri gjatë vitit 2021, më shumë se sulme fizike ndaj gazetarëve dhe kërcënime me jetë, kemi dëshmuar kërcënime, frikësime dhe presione ndaj ekosistemit të lirisë së medias.

Zhvillimet kryesore në vitin 2021 kanë qënë zgjedhja e një personi të lidhur politikisht si kryetare e AMA-s dhe rregullorja e Parlamentit për Akreditimin e gazetarëve që i pengon ata të raportojnë nga seancat dhe komisionet parlamentare dhe po ashtu krijimi i Agjencisë së Medias dhe Informacionit që rrezikon të përqendrojë më tej aksesin në informacionin publik.

Një shqetësim tjetër madhor është përpjekja e qeverisë për ta vjetëruar gazetarinë me një kombinim të ndjenjave antimediatike, gjuhës denigruese dhe mbylljes së dyerve për gazetarët duke mos dhënë konferenca për shtyp dhe duke përqendruar informacionin publik.

Kjo vihet re edhe me politikanë të tjerë dhe fuqitë e mëdha ekonomike. Për më tepër, institucionet shtetërore të Shqipërisë nuk kanë krijuar ende mekanizma efektivë specifikë për gazetarët dhe stafin e medias për të siguruar masa mbrojtëse kur ata kërcënohen.

Rrjeti SJ ka mbështetur për të rritur përpjekjet e avokimit bazuar në prova dhe kërkime, duke bashkëpunuar me platforma të tjera, reagimi në raste sulmesh është përforcuar dhe ka një ndikim më të gjerë.