Këshilli Drejtues i Radio Televizionit Publik Shqiptar (RTSH) pezulloi të enjten procesin e zgjedhjes së drejtorit të ri. Vendimi erdhi pas thirrjes së Komisionit Parlamentar për Edukimin dhe Median, i cili kërkoi pezullimin e procesit pasi Këshilli pranoi të thirrte në dëgjesë për paraqitjen e platformave të drejtimit vetëm dy nga dhjetë kandidatë.
Sipas vendimit të Këshillit pezullimi do të zgjasë deri pas seancës dëgjimore me Këshillin Drejtues nga Komisioni për Edukim dhe Median.
Procesi i zgjedhjes së kreut të RTSH-së është shoqëruar me reagime të shumta nga Komisioni për Edukimin dhe Median si dhe nga organizatat e medias në vend.
Kjo pasi, sipas tyre janë konstatuar një sërë problematikash, duke nisur nga skualifikimi i 8 kandidatëve edhe pse plotësonin kriteret. Pozita dhe opozita u bënë në një mendim për këtë proces duke bërë thirrje për të kryer një garë të hapur, transparente dhe me meritokraci.
Organizatat e medias u shprehën se është shkelur Statuti i RTSH-së ndërsa kërkuan respektimin e ligjit dhe të statutit.
Hapja e garës për drejtues të RTSH-së ndodhi pas dorëheqjes së drejtorit të mëhershëm, Alfred Peza. Edhe përzgjedhja e tij dhe koha që qëndroi në krye të RTSH-së u shoqërua me kritika për shkak të përkatësisë së tij politike e më pas për shkak të shkarkimeve masive nga puna të gazetarëve të RTSH-së.
Burimi: Citizens Channel