Anëtarët e Koalicionit për Lirinë e Medias do të mbështesin veprimin e studentëve dhe grupeve të ndryshme shoqërore dhe profesionale duke iu bashkuar grevës së përgjithshme më 24 janar 2025.
Që nga fillimi, Koalicioni ka mbështetur kërkesën e studentëve që po bllokojnë fakultetet e tyre në mbarë Serbinë, duke kërkuar përgjegjësi për tragjedinë në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ku humbën jetën 15 persona dhe dy të tjerë mbetën të plagosur rëndë.
Ne ftojmë anëtarësinë tonë, si edhe mediat dhe punonjësit e tjerë të medias, t’i bashkohen grevës së përgjithshme dhe të shprehin në mënyrë konkrete jo vetëm solidaritetin me studentët dhe mbështetjen për kërkesat e tyre, por edhe përkushtimin ndaj standardeve dhe etikës së profesionit gazetaresk.
Mbrojtja e interesit publik është detyra kyçe e profesionit tonë, dhe për këtë arsye lufta që studentët dhe nxënësit e shkollave të mesme po zhvillojnë prej javësh, e mbështetur nga akademiket, është lufta jonë e përbashkët.
Roli i medias dhe profesionistëve të gazetarisë ka një peshë të veçantë në këtë luftë, edhe sepse shumë media të regjimit dhe propagandistë që shtiren si gazetarë dëmtojnë reputacionin e profesionit tonë dhe minojnë besimin e qytetarëve tek mediat në përgjithësi.
Për këtë arsye, u bëjmë thirrje qytetarëve që të ndalojnë ndjekjen e mediave që promovojnë gjuhën e urrejtjes dhe dhunën, që shënjestrojnë studentët tanë të guximshëm, kërkesat e të cilëve janë me rëndësi jetike për të gjithë shoqërinë, si dhe luftëtarët e tjerë për sundimin e ligjit.
Për shkak të domosdoshmërisë për raportim të saktë dhe në kohë, anëtarët e Koalicionit u bëjnë thirrje mediave dhe punonjësve të medias që të pezullojnë punën e tyre të premten, më 24 janar, nga ora 11:52 deri në 12:07 – televizionet të errësojnë ekranet e tyre dhe stacionet e radios të ndalojnë programet për 15 minuta – dhe të raportojnë mbi grevën e përgjithshme në Serbi gjatë periudhës së mbetur.
Përveç këtij veprimi, ftojmë kolegët tanë dhe të gjithë qytetarët e Serbisë që të na bashkohen nesër në orën 11:15 përpara ndërtesave të shërbimit publik mediatik në Beograd dhe Novi Sad dhe në këtë mënyrë të mbështesin zërat e disa sindikatave, punonjësve të Radio Televizionit të Serbisë (RTS) dhe Radio Televizionit të Vojvodinës (RTV) – të cilët kërkojnë një ndryshim në politikën redaktuese, si dhe dorëheqjen e drejtuesve të këtyre kompanive mediatike.
Koalicioni për Lirinë e Medias: Shoqata e Medias, Shoqata e Mediave Online (AOM), Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Vojvodinës (NDNV), Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë (NUNS), Shoqata e Bizneseve të Mediave Lokale dhe të Pavarura “Local Press”, Fondacioni Slavko Curuvija dhe Sindikata e Kulturës, Arteve dhe Medias ‘Nezavisnost’.