Përmes një mesazhi në WhatsApp, gazetarë që mbulojnë çështjet gjyqësore u lajmëruan sot rreth një vendimi të ri nga Gjykata e Tiranës, që i kërkonte gazetarëve që duan të marrin informacione, të dorëzojnë bashkë me pyetjet edhe kontratën e punës, si dhe një kopje të ekstraktit të medias ku punojnë.
Vladimir Karaj, gazetar i Birn në Shqipëri e konsideroi këtë një vendim absurd.
“Ka herë pas here përpjekje për të shpikur pengesa artificiale për te penguar marrjen e informacionit. Si shpallja sekret për shembull, apo kërkesa për burokraci që do të dekurajonin kërkuesit”, – tha Karaj për Citizens Channel.
Ola Ismaili, koordinatore për mediat pranë Gjykatës së Tiranës, u shpreh për Citizens Channel se ky institucion merr shpesh kërkesa për informacion, por ata nuk janë të bindur se kush qëndron pas personit i cili kryen procedurën sipas ligjit nr. 119 “Për të drejtën e Informimit”.
“Pra, kërkesa është e tillë, dy rreshta: “Jam gazetar dhe kërkojmë nga gjykata informacione lidhur me një, dy, tre, katër, pesë çështje”. Për të bërë të mundur identifikimin e personave që realisht kanë si mision dhënien e informacionit, ne kërkuam nga personat të cilët i drejtohen gjykatës një mjet identifikimi, një kontratë, një ekstrakt, një bedge në mënyrë që të provojë misionin që ka”, – tha Ismaili.
“Ne duam të dimë nëse informacioni që ne japim… kujt po ia japim? Po ia japim një gazetari që realisht e informon publikun, do e kuptojë atë që gjykata i ka shprehur, transmetoni fiks atë që është shprehur në vendim?”, – vijoi më tej Ola Ismaili.
“Kjo zyrë, me këtë vendim është anti-demokratike dhe censuron qarkullimin e informacionit”, – tha Koloreto Cukali nga Këshilli Shqiptar i Medias. Duke iu kthyer shqetësimit të institucionit rreth dhënies së informacionit, Cukalli shpjegon se Gjykata e Tiranës mund të kryejë procedurën e akreditimit të gazetarëve çdo vit.
“Akreditimi është një proces normal pune i çdo institucioni serioz perëndimor. Procedura e akreditimit nuk përfshin kontratë pune ose ekstrakt QKB-je”, – thotë ai.
“Akreditimi është një kërkesë zyrtare që një media ose një gazetar free-lance i bën zyrës së shtypit në fillim të vitit, me vlerë për një vit, ku i kërkon institucionit të akreditojë një gazetar të caktuar që të marrë informacion pranë kësaj zyre përgjatë vitit në emër të medias ose në interes të vetin”, – shpjegon Koloreto Cukali për Citizens Channel.
Edhe rrjete të tjera gazetarësh reaguan, duke e konsideruar një vendim të tillë censurues dhe të pabazuar në ligj.
Ligji nr.119/2014 “Për të drejtën e Informimit”, nenin tre të saj, cilëson se kushdo mund t’i drejtohet institucioneve për të marrë informacion dhe institucionet janë të detyruara të përgjigjen brenda një afati kohor prej 10 ditësh punë.
Rrjeti i Gazetarëve të Sigurtë: Nismë e padëgjuar në rajon
Blerjana Bino nga Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt në Rajonin e Ballkanit Perëndimor e konsideroi këtë vendim të ri cenues për lirinë e gazetarëve dhe të pandeshur në shtetet fqinje.
“Kjo është një kërkesë e paprecendentë në fakt. Kolegët e Rrjetit të Gazetarëve të Sigurt në Rajon konfirmuan që një kërkesë e tillë nuk është bërë në asnjë prej vendeve të rajonit dhe shprehën habi për këtë lloj kërkese”, – pohon Blerjana Bino.
Sipas Binos, ky komunikim është ndërmarrë jashtë përcaktimeve ligjore aktuale që rregullojnë marrjen e informacioneve nga gazetarë dhe qytetarët dhe tregon qartë probleme që lidhen me transparencën e institucionit dhe me marrëdhëniet që ka me median.
“Kjo qasje cenon edhe aspekte të lidhura me mbrojtjen e të dhënave personale. Këtu nuk po flasim për kontrata kolektive publike, por kontrata individuale pune dhe që kanë ndjeshmëri”, pohon më tej ajo.
Së fundmi, Blerjana Bino shpjegon se ky urdhër tregon qasjen problematike të institucioneve ndaj gazetarëve.
“Njoftimi i sotëm është tregues i një qasje shqetësuese sa i takon hapësirës dhe lirisë së medias në Shqipëri duke konsideruar tendencat e institucioneve për të mbajtur informacion, për tu mbyllur ndaj gazetarëve sidomos atyre kritikë”, – përfundon ajo.
Gjykata e Tiranës tërhiqet nga “urdhri i ri”
Pas reagimeve të gazetarëve, po në rrjetin social WhatsApp, koordinatorja për median në Gjykatën e Tiranës njoftoi që gazetarët, për të marrë informacion përmes procedurës së Kërkesës për Informacion, duhet të ndjekin udhëzimet që parashtrohen në ligjin “Për të drejtën e Informimit”.
Sipas nenit 11 të këtij ligji, kërkesa për Informim duhet të përmbajë:
- Emër/ mbiemër të kërkuesit
- Adresa postare ose elektronike
- Përshkrimi i informacionit që kërkohet
- çdo të dhënë që kërkuesi gjykon se mund të ndihmojë në identifikimin e informacionit të kërkuar.