Liria e shtypit çështje urgjente, gazetarë e aktivistë letër të hapur për organizatat ndërkombëtare

Burimi: https://exit.al/liria-e-shtypit-ceshtje-urgjente-gazetare-e-aktiviste-leter-te-hapur-per-organizatat-nderkombetare/
Liria e shtypit çështje urgjente, gazetarë e aktivistë letër të hapur për organizatat ndërkombëtare

Gazetarë shqiptarë, shoqëria civile dhe avokatët i kërkojnë BE-së, Këshillit të Europës, OSBE-së dhe organizatave ndërkombëtare t’i ndihmojnë të luftojnë kapjen e shtetit dhe kontrollin e mediave shqiptare si një çështje me urgjencë.

Në një letër të hapur gazetarët dhe aktivistët kërkojnë që qeveria të tërhiqet nga krijimi i Agjencisë së Medias dhe Informacionit (AMI) dhe të anulojë përfundimisht planet për të miratuar të ashtuquajturën “paketë anti-shpifje”.

Kërkesa për organet ndërkombëtare vjen pak kohë pasi kryeministri Rama shpalli krijimin e AMI-t, agjencisë publike që pritet të marrë kontrollin e komunikimit me mediat dhe përgjigjen ndaj çdo pyetjeje, kërkese për koment, apo kërkesë për intervista ndaj qeverisë.

Krijimi i AMI-t vjen në një kontekst shqetësues sa i takon lirisë së shtypit në Shqipëri, theksohet në letër, duke vënë në dukje emërimin në krye të AMA-s të Ermela Krasniqit, ish-ndihmëse e komunikimit në PS dhe raportimin se Endri Fuga, drejtori i komunikimit të kryeministrisë pritet të drejtojë AMI-n.

Vlen të përmendet se paketa e ashtuquajtur “anti-shpifje”, e kritikuar ndërkombëtarisht edhe nga BE dhe komisioni i Venecias, mund të kalohet nga momenti në moment nga parlamenti me një shumicë të thjeshtë votash, të cilat PS i ka.

“Ne ju bëjmë thirrje që të kërkoni nga qeveria shqiptare të ndalojë planet e saj për Agjencinë e Medias dhe Informacionit. Ne gjithashtu bëjmë thirrje që anulimi i paketës anti-shpifje të jetë një kusht për hapjen e bisedimeve të pranimit në BE, dhe që liria e medias dhe sundimi i ligjit të bëhen një kriteret bazë për të matur përparimin e Shqipërisë…Pa mbështetjen tuaj, aftësia për të bërë punën tonë dhe për të siguruar informacion transparent, faktik dhe për të mbajtur përgjegjësinë, bëhet edhe më pak e mundur”, mbyllet letra e gazetarëve dhe aktivistëve për lirinë e shtypit.