Një studim i ri hedh një vështrim në trajektoren e lirisë së medias shqiptare, nga “të lavdishmet” vitet ‘30 deri te mosekzistenca në komunizëm dhe mjetet e reja të kontrollit sot.
Nëse vitet 1930 shënuan “periudhën më të lavdishme” në historinë e gazetarisë shqiptare, pothuajse një shekull më vonë ajo përballet me “ditën e saj më të errët”, argumenton Luljeta Progni.
Një gazetare veterane, Progni është autore e “Media Shqiptare: Rrugëtimi i vështirë drejt lirisë”, një studim mbi historinë e gazetarisë në Shqipëri dhe rezultat i 18 muajve hulumtim arkivor në Bibliotekën Kombëtare.
Progni tha se, për një moment të shkurtër në vitet 1930, pati një shkëmbim të lirë mendimesh midis intelektualëve, revistave dhe gazetave që përfundoi me Luftën e Dytë Botërore dhe ardhjen e sundimit e komunizmit në 1944.
Pastaj, për pak më shumë se katër dekada, “nuk pati disidencë”, tha Progni në një intervistë për BIRN, dhe gazetarët u burgosën ose u ekzekutuan duke u përshkruar si “armiq të popullit”.
Sot, në vend që të jetë e lirë, gazetaria është mbytur nga interesa politike dhe biznesi, tha ajo.
“Ideja për këtë studim më lindi nga leximet që kam bërë për kureshtje për autorë të caktuar, gazetarë të viteve ‘30 në Shqipëri, sepse mendoj se është një nga kohët më të lavdishme në historinë e medias shqiptare”, tha Progni.
“Kjo ide më lindi gjithashtu … kur konsolidova mendimin tim se në Shqipëri liria e medias po shkon gjithnjë e më thellë në ditët e saj më të errëta.”
Në komunizëm nuk kishte disidencë të vërtetë
Progni filloi të merrej me gazetari në vitin 1993, jo shumë kohë pas rënies së komunizmit dhe në një kohë kur mediat kritike mund të ekzistonin më në fund.
Por janë vitet ’30 që mbeten në mendjen e Prognit si ditët e lavdisë së gazetarisë shqiptare.
“Gazetarët në atë kohë… ishin përgjithësisht njerëz të shkolluar në Perëndim, të cilët kishin krijuar një lloj ekzistence ekonomike, të cilën në një moment e kishin shteruar për të shkruar dhe bërë gazeta, revista dhe botime”, tha ajo.
“E kundërta ndodh tani”, shpjegoi Progni. “Pronarët e sotëm të mediave po ndërtojnë bizneset e tyre në emër të medias. Dhe kjo më trishton vërtet shumë.”
Në komunizëm, nuk kishte gazetari të vërtetë.
Disa gazetarë u burgosën ose u ekzekutuan shpejt pas luftës. “Në diktaturë, misioni i gazetarit përfundoi dhe u ndërpre një rrugë shumë e rëndësishme, si ajo e gazetarëve të viteve 30, u pre filli i dijes”, tha Progni.
“Dhe për 46 vjet janë dënuar shumë gazetarë të tjerë – ata që arritën të rezistonin për një kohë, por jo për shkak të disidencës së tyre, sepse nuk kishte disidencë, por sepse regjimi vendosi t’i cilësonte ata si ‘armiq të popullit’.”
“Nuk kam gjetur ndonjë përpjekje serioze për të sulmuar regjimin komunist. Ishte e pamundur.”
Gazetaria në kuptimin tradicional të fjalës nuk ekzistonte.
“Nuk kishte hulumtim gazetaresk, sepse çdo artikull, çdo fjalë dhe shkronjë kalonte nëpër të gjitha strukturat e partisë, nëpër të gjitha filtrat e diktaturës dhe patjetër përmes Sigurimit të Shtetit”, tha Progni. “Ata e manipulonin trurin e njerëzve thjesht me arritjet e partisë në diktaturë.”
Nën udhëheqjen e kryeministrit Edi Rama, në pushtet që nga viti 2013, ka pasur pak përmirësim real në lirinë e medias në Shqipëri. Vitin e kaluar, vendi ra në vendin e 103-të në renditjen vjetore të Reporterëve pa Kufij; duke e renditur Shqipërinë në vendin e 96-të, Reporterët pa Kufij thanë se në vend pavarësia editoriale “kërcënohet nga rregullimi partiak”.
“Gazetarët janë viktima të krimit të organizuar dhe, ndonjëherë, të dhunës policore, të nxitur nga dështimi i qeverisë për t’i mbrojtur ata”, shkroi RSF-ja.
Gazetarët që janë kritikë ndaj qeverisë shpesh u nënshtrohen sulmeve politike të krijuara për të diskredituar dhe ata shpesh kanë probleme në qasjen e informacionit nga shteti, tha RSF-ja.
Progni e përshkroi situatën si dramatike.
“Një media klasifikohet në bazë të lirisë që ka një gazetar për të shkruar të vërtetën dhe mendoj se ne iu afruam lirisë në vitet 1990, derisa liderët e partive filluan të sillnin kasetat e tyre në redaksitë e televizioneve”, tha Progni.
Edhe si kryebashkiak i Tiranës në vitet 2000, Rama e kontrollonte narrativën nëpërmjet stafit të tij, duke i mbajtur takimet të mbyllura dhe tani duke i lejuar mediat ta ndjekin atë, tha ajo.
“Çfarëdo që të ndodhë brenda Partisë Socialiste të Ramës, ne e marrim nga stafi i Ramës. Çfarëdo që të ndodhë brenda PD-së, ne e marrim nga stafet e tyre, Sali Berisha apo Lulzim Basha”, shtoi ajo.
“Mendoj se liria e medias është në ditën e saj më të errët, duke pasur parasysh edhe faktin që media në Shqipëri është e kapur nga biznesmenë që i përdorin këto media për të përfituar nga qeveria për bizneset e tyre.”
Gjej artikullin e plote ketu