Përkeqësohet e drejta e informimit, institucionet duan 27 ditë kohë për t’iu përgjigjur kërkesave

Burimi: https://citizens-channel.com/2022/04/19/raporti-perkeqesohet-e-drejta-e-informimit-institucionet-duan-27-dite-kohe-per-tiu-pergjigjur-kerkesave/?fbclid=IwAR0sMW4NnoHXtQYaIBYpWKZYXMlTIWCnLJufh3InrorCk8F9MAFk5RvlUuc
Përkeqësohet e drejta e informimit, institucionet duan 27 ditë kohë për t’iu përgjigjur kërkesave

Viti 2021 shënoi përkeqësim në zbatimin e ligjit për të drejtën e informimit. Ky është konkluzioni i raportit “E drejta e informimit” që u publikua për të shtatin vit radhazi nga qendra Res Publica.

Raporti është bazuar në monitorimin e veprimtarisë së Komisionerit për të Drejtën e Informimit, të dhënat për numrin e ankesave, mënyrën e trajtimit të tyre dhe transparencën e institucioneve publike.

Vetëm 60% e kërkesave për informacion marrin një përgjigje të plotë pas kërkesës, ndërsa 23% nuk marrin asnjë përgjigje. Ndonëse në 88% të rasteve merret një përgjigje pas ankimit, kohëzgjatja e kthimit të përgjigjes përgjatë 2021 është 27 ditë kalendarike. Afati i përcaktuar në ligj për marrjen e përgjigjes është 10 ditë pune.

Studimi thekson se përgjigjet nuk jepen në kohën e duhur dhe informacionet më sensitive nuk aksesohen, deri në pikën që e humbin vlerën.

Autoritetet që nuk duan të publikojnë informacionet janë të pajisur me shumë mjete juridike për të zvarritur dhënien e informacionit pa fund. Informacionet që aksesohen më lehtë janë zakonisht informacione që nuk hedhin dritë mbi veprimtari të rëndësishme shtetërore “, thuhet në raport.

Asnjë institucion nga 100 të monitoruar, nuk e ka përmbushur plotësisht programin e transparencës.

Numri i ankesave drejtuar Komisionerit për vitin 2021 është rritur ndjeshëm nga vitet e kaluara (me rreth 40%) dhe rezulton të jetë shifra më e lartë deri tani. Ndërkohë, Komisioneri ka marrë vendim vetëm për afro 4% të rasteve gjatë vitit 2021,duke vijuar të shënojë një shifër tepër të ulët.

Në lidhje me sanksionet, janë vënë gjithsej 8 gjoba, ku 6 gjoba janë vendosur për mosrespektim të detyrimeve për programet e transparencës. Ndërsa për ankesat e qytetarëve janë vendosur 2 gjoba.

Ky raport i jep një rëndësi të veçantë edhe Agjencisë për Media dhe Informim, duke vlerësuar mundësinë për goditjen e bazës ligjore të kësaj agjencie në gjykatën kompetente.

“Në pamje të parë, një qeveri ka të drejtë të përqendrojë dhe koordinojë propagandën e vet, por kjo nuk duhet të interferojë me të drejtën e gazetarëve për t’u informuar“, citohet në studim.

Është rritur interesi i qytetarëve për të përdorur të drejtën e informimit përgjatë 2021, sidomos grup moshat nga 20 – 30 vjeç, specifikisht persona me arsim të lartë Master.

Në fund të raportit janë shënuar disa rekomandime ku përmendim: Të parashikohet në ligj mundësia për të ekzekutuar forcërisht vendimet e Komisionerit për të Drejtën e Informimit, Komisioneri për të Drejtën e Informimit duhet të marrë vendim për çdo ankese, duke shmangur “zgjidhjet me ndërmjetësim”,etj.