Raporti i Autoritetit të Mediave Audiovizive AMA doli në përfundimin se gjatë vitit 2021,në kohën e pandemisë, televizionet abuzuan me reklamat për barna.
AMA raportoi të martën në Komisionin për Edukim dhe Mjete të Informimit Publik raportin 1-vjeçar. Kryetarja e AMA-s Armela Krasniqi përpos reklamave me barnat, u ndal tek abuzimi dhe cënimi i të drejtave të njeriut gjatë transmetimeve televizive në 2021. Ajo veçoi fëmijët si kategori ku janë shfaqur më shumë probleme në transmetim.
“Situata e krijuar nga pandemia COVID-19 ka shtuar kohën programore nga OSHMA-të për aspekte të shëndetit”, thotë raporti duke shtuar se “nisur nga interesi për mbrojtjen e qytetarëve nga abuzimet me transmetimet mbi këtë temë, AMA ka realizuar shqyrtime me fokus reklamat për medikamentet, apo të trajtimit të çështjeve shëndetësore në përgjithësi”.
Krasniqi tha gjatë fjalës së saj në komision se AMA ka komunikuar me Agjencinë Kombëtare të Barnave për të ditur nëse medikamentet e reklamuara ishin të licencuara dhe se “autoriteti u kishte tërhequr vërejtje subjekteve audio dhe audiovizive për reklamat e fshehura në këtë sektor”.
“Autoriteti u ka kërkuar shmangien e fenomeneve të tilla si konfuzioni apo deformimi i rezultateve shkencore të konfirmuara”, tha Krasniqi. Gjithashtu ajo përmendi se AMA ka kërkuar shmangien e debateve televizive ku ka individë që nuk janë ekspertë të fushës, “të cilat krijojnë paqartësi dhe pasiguri te ndjekësit”.
“300 ankesa gjatë 2021”
AMA ka marrë 300 ankesa gjatë 2021 të cilat janë bërë nga individë, shoqata dhe organizatat të shoqërisë civile.
Ndër problemet më kryesore që ka evidentuar AMA është raportimi jo etik me fëmijët, ku përmend përmbajtjet e papërshtatshme dhe përdorimin e gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimin në trasmetimet audiovizive.
Ankesat e dërguara në AMA kishin si objekt të tyre shkeljen e të drejtave të njeriut, të normave ligjore dhe etike, shkeljen e të drejtave të fëmijëve, cenimin e dinjitetit, si dhe disa ankesa të shtuara ndaj rrjeteve sociale, portaleve dhe gazetave.
AMA-s ju kërkua nga raporti i vlerësimit të hartuar nga Shërbimet e Monitorimit të Kuvedit, “që të luaj një rol proaktiv në mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve” si një çështje me ndikim të drejpërdrejtë në lirinë e medias, dhe si një kërkesë e ripërsëritur e raporteve të Komisionit Europian.
Gjatë muajit 2021, AMA e ka ushtruar aktivitetin me 4 anëtarë, duke krijuar kështu pengesa dhe pamundësi në miratimin e vendimeve të cilat kërkojnë një shumicë për të kaluar me 5 vota.
“Mungesa e kuorumit të nevojshëm ligjor ka bërë të pamundur vendimmarrjet për marrje licence, rinovim dhe heqje të licencave/autorizimeve,” thuhet në raport.
Komisioni do të miratojë një rezolutë me rekomandime për punën e AMA-s të mërkurën.