
Në muajt e fundit, media të pavarura jofitimprurëse në Shqipëri, si BIRN Albania dhe botimi i tyre Reporter.al, Citizens.al, INA Media, Faktoje.al dhe të tjera janë përballur me një valë fushatash shpifëse në internet me narrativa keqinformuese dhe të rreme lidhur me pavarësinë dhe integritetin e tyre. Këto narrativa i portretizojnë mediat si të njëanshme politikisht ose të kontrolluara nga interesat e huaja, veçanërisht nga USAID dhe fondacioni i George Soros. Toni është shpesh konspirativ dhe shpifës, duke i paraqitur këto media si propagandues të agjendave të caktuara dhe jo si vëzhgues të pavarur. Këto pretendime kanë qarkulluar nëpër mediat sociale, shpesh të prodhuara, riprodhuara dhe të përforcuara nga figura politike dhe portale me ndikime partiake, dhe kanë bërë jehonë në rubrikat e komenteve me angazhim të lartë publik.
Në fund të marsit 2025, një llogari anonime në Instagram publikoi video (reels) ku emërtoheshin hapur BIRN Albania, Reporter.al dhe Citizens.al si media të “lidhura me Sorosin”, duke pretenduar se administrata e ish-presidentit Trump u kishte ndërprerë financimin për shkak të përhapjes së dezinformimit dhe se këto media ishin në rrezik të mbylljes. Toni i postimeve ishte festues, duke e paraqitur këtë situatë si një ndëshkim të merituar. Me mbi 14 mijë ndjekës, kjo llogari mundësoi përhapjen e gjerë të këtyre pretendimeve. Portale online publikuan gjithashtu artikuj që theksonin mbështetjen prej 3.3 milionë dollarësh të USAID-it për gazetarinë investigative në Shqipëri gjatë vitit 2023, duke insinuar pa fakte se media përfituese si psh INA Media po e kursenin qeverinë nga kritikat. Ndërkohë, që në fillim të shkurtit 2025, portali i verifikimit të fakteve Faktoje.al u përball përsëri me sulme baltosjeje që e lidhnin atë me financimet e USAID-it dhe fondacionit Soros, të shoqëruara nga gjuhë fyese dhe sulme personale ndaj gazetarëve.
Edhe pse këto narrativa janë vazhdimisht të pabazuara, të ndërtuara mbi akuza për fajësi përmes asocimit dhe argumente keqinformuese ose gjysmë të vërteta, dhe jo mbi kritika thelbësore apo kërkim të llogaridhënies, ato kanë gjeneruar komente dhe angazhim të konsiderueshëm në hapësirën digjitale. Përmbajtja shpesh u shërben interesave të figurave të caktuara politike dhe elitave ekonomike, ose për të heshtur raportimin kritik, ose për të promovuar narrativat e tyre në një kontekst të skajshëm polarizimi politik. Në disa raste, operatorët realë pas këtyre llogarive të mediave sociale apo portaleve online mbeten të paqartë, duke lejuar kështu që përmbajtja të përhapet me një nivel minimal transparence apo përgjegjshmërie.
Këto narrativa të rreme që synojnë mediat e pavarura jofitimprurëse janë pjesë e sulmeve më të gjera kundër shoqërisë civile në Shqipëri, veçanërisht pas pasojave të ngrirjes së fundit të fondeve të USAID-it. Në Shqipëri është bërë i zakonshëm pretendimi se shoqëria civile kontrollohet nga Sorosi, dhe se asnjë organizatë nuk mund të funksionojë në mënyrë të pavarur prej tij. Pas njoftimit nga administrata Trump në fillim të shkurtit 2025 për ngrirjen dhe auditimin e fondeve të USAID-it, këto narrativa morën më shumë forcë. Për shembull, një artikull opinion me titullin “USAID–Soros organizatë kriminale – Ribëni reformën në drejtësi!” akuzonte organizatat e financuara nga donatorët për manipulim të sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Një artikull tjetër publikoi të dhëna të rrjedhura për pagat e drejtuesve të organizatave të shoqërisë civile, duke sugjeruar se këto paga, të pretenduara si të larta, cenojnë pavarësinë e organizatave dhe i vendosin ato nën ndikimin e donatorëve të huaj, në vend që të shërbejnë interesit publik shqiptar.
Siç vëren edhe Rrjeti Ballkanik për Zhvillimin e Shoqërisë Civile (Balkan Civil Society Development Network), “Në rajon është ndërmarrë një fushatë e gjerë baltosjeje, duke përdorur sulme agresive në rrjetet sociale dhe narrativa keqinformuese, për të diskredituar organizatat e shoqërisë civile, gazetarët dhe përfaqësuesit e medias—sidomos ata që kanë marrë mbështetje nga këto programe. Përshkrimi i rremë ose i pjesshëm i financimeve të projekteve—duke injoruar qëllimisht përfitimet konkrete në nivel lokal, kombëtar dhe rajonal—ka nxitur dezinformim dhe intimidim, duke dëmtuar legjitimitetin e organizatave dhe duke i etiketuar ato si agjentë të huaj.”
Kjo situatë nuk është debat mbi llogaridhënien e medias, pasi aktorët që qëndrojnë pas këtyre narrativave nuk tregojnë interes ndaj fakteve apo ndaj një vlerësimi të vërtetë kritik; në vend të kësaj, ata promovojnë narrativa polarizuese për të diskredituar median e pavarur, zërat kritikë dhe institucionet që monitorojnë pushtetin publik, duke shfrytëzuar mosbesimin publik për interesa politike ose ekonomike. “Ne i shohim këto sulme, si sulme ndaj linjës sonë editorial dhe raportimit kritik që bëjmë” – nënvizon Lorin Kadiu, Drejtor Ekzekutiv i Citizens.al. Në vend që të vlerësojnë mediat mbi bazën e cilësisë së raportimit investigativ apo shërbimit të interesit publik, ata përqendrohen tek financimet dhe pretendimet për kontroll të huaj. Në media, politikë dhe rrjete sociale, gjuha mbetet armiqësore dhe denigruese, duke i portretizuar mediat e pavarura, gazetarët dhe shoqërinë civile si “armiq të brendshëm”. Edhe pse mungojnë prova konkrete që mbështesin këto narrativa keqinformuese, ato gjejnë mbështetje në një klimë gjithnjë e më të polarizuar. Amplifikimi i tyre, si online ashtu edhe offline, sjell rreziqe për lirinë e brishtë të medias dhe diskursin demokratik në Shqipëri.