Sulmohen mediat në Leposaviq, kameramani i RTK-së, Bardh Bekteshi, pëson lëndime të rënda në kokë dhe trup

0
121

Ekipet mediale nga Prishtina kanë qenë sot cak i një sulmi brutal derisa po kryenin punën e tyre në Leposaviq.

Kameramani i RTK-së, Bardh Bekteshi, është sulmuar fizikisht siç shihet në videon shqetësuese të dërguar në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, nga ekipet në terren. Përveç sulmit fizik, Bekteshit i është thyer edhe kamera e xhirimit.

Në një deklaratë për AGK-në, gazetarja Venera Xhoxhaj, ka treguar se protestuesit i kanë gjuajtur me gurë ekipet e medieve, Tëvë1, RTV Dukagjini, RTK, Klan Kosova dhe KTV.

Na kanë gjuajtur me gurë, disa kolegë derisa kanë qenë duke u larguar, janë rrëzuar, dhe kameramanit tonë, Bardh Bekteshi, e kanë shtyrë duke e rrëzuar pastaj edhe sulmuar fizikisht duke i shkaktuar lëndime në kokë dhe trup”.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, i bënë thirrje urgjente Policisë së Kosovës, dhe prezencës ndërkombëtare në këtë komunë, që t’u ofrojnë siguri gazetarëve dhe kameramanëve të cilët janë duke qëndruar aty.

AGK-ja, dënon ashpër këtë sulm, njëherësh bën të ditur se për të gjitha këto sulme që kanë ndodhur në veri të vendit, do të informohen organizatat ndërkombëtare që merren me sigurinë e gazetarëve dhe lirinë e medias.