Tjetër rrjedhje e të dhënave personale: Publikohen pagat e 637 mijë qytetarëve

0
16

Një listë me të dhënat personale të 637.138 qytetarëve ka qarkulluar prej ditës së djeshme, shpërndarë përmes rrjeteve sociale, veçanërisht në platformën “WhatsApp”.

Lista përmban të dhëna personale të qytetarëve, duke përfshirë numrin e kartës së identitetit, emrin, vendin e punës, pagën, pozicionin në punë, orët që ka punuar për një muaj. Të dhëna këto për qytetarë në sektorin privat dhe publik, në një renditje nga paga më e lartë te ajo më e ulët.

Të venë në dijeni nga mediat ditën e sotme, kanë reaguar edhe institucionet shtetërore, duke nisur nga Prokuroria e Tiranës, e cila është vënë në lëvizje për verifikimin e të dhënave.

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale u shpreh sot se ka nisur punën për identifikimin e shkeljeve nga lista e të dhënave të bërë publike.

Zyra e Komisionerit ka nisur punën për sigurimin e kësaj baze të dhënash dhe për identifikimin e shkeljeve të mundshme, në mënyrë që të ushtrojë detyrimin ligjor dhe kryerjen e veprimeve të domosdoshme për një hetim administrativ kryesisht (me iniciativën e saj) për këtë çështje”,-thuhet në deklaratën e Komisionerit.

Ndërsa u ka bërë thirjre qytetarëve të mos bëhen pjesë e shpërndarjes së këtyre të dhënave.

“Zyra e Komisionerit i bën thirrje të gjithë individëve apo subjekteve publike/private që disponojnë këtë bazë të dhënash personale, të mos e transmetojnë, qarkullojnë apo publikojnë duke rënduar situatën në kuadër të pasojave që mund të vijnë në lidhje me të drejtën për respektimin e jetës private”-thuhet më tej në deklaratë.

Endri Fuga, zëdhënësi i qeverisë u shpreh në Twitter dokumenti i bërë publik është bashkim i copëzave të ndryshme dhe ka numër të ndryshëm nga personat e deklaruar.

“Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka ndjekur me shqetësim daljen e të dhënave mbi pagat e shtetasve shqiptarë. Analizat paraprake tregojnë qartësisht se nuk ka ndodhur asnjë eksport dixhital i databazës së pagave për periudhën janar-prill 2021 në fushat e dokumentit të hedhur në qarkullim”, – thuhej në postimin e Fugës.

Ai e konsideroi një dokument ilegal, ndërsa Ministria po përgatit denoncimin zyrtar për në prokurori.

“Ministria e Financave dhe Ekonomisë po përgatit denoncimin zyrtar për prokurorinë, në kërkim të zbardhjes së kësaj ndërhyrjeje kriminale në databazën e pagave të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë”,-përfundon komunikimi.

Presidenti Ilir Meta e konsideroi publikimin e listës në shkelje flagrante të lirive, të drejtave dhe dinjitetit njerëzor.

“Të dhënat personale të çdo shtetasi, që depozitohen në institucionet publike dhe që administrohen në bazat e të dhënave shtetërore, janë personale, mbrohen me ligj dhe kanë për qëllim përdorimin e tyre vetëm për interesin e shtetasve dhe të shtetit. Çdo lloj përdorimi i ndryshëm i tyre është akt kriminal, që rrezikon paqen sociale duke cënuar sigurinë private të çdo qytetari”,-thuhet në komunikimin publik të presidentit Meta.

Publikimi i të dhënave personale të qytetarëve është një rast i përsëritur. Në muajin prill, pak para mbajtjes së zgjedhjeve qendore, u bë publik një listë me të dhëna personale të 910 mijë votuesve në Tiranë, mes tyre edhe preferencave politike të secilit prej tyre.

Lajmi i bërë publik nga media online Lapsi.al bëri që Gjykata e Shkallës së parë të kërkone sekuestrim të serverit, telefonave dhe kompjuterëve te gazetarëve, mirëpo Gjykata e Apelit pak më vonë e shfuqizoi këtë vendim.

Reagimet ishin të shumta nga organizatat dhe institucionet që punojnë për mbrojtjen e të dhënave personale dhe lirisë së shprehjes. Mirëpo për “databazën e patronazhistëve” askush nuk mbajti përgjegjësi ligjore, ndërsa u përdor përgjatë fushatës në favor të mazhorancës.