AGK bashkë me policinë dhe prokurorinë për mbrojtjen e gazetarëve

0
144

PRISHTINË, 25.12.2018 – Kërcënimet dhe sulmet e ndryshme nga politika dhe grupet e bizneseve, janë pjesë e realitetit të punës së gazetarëve në Kosovë. Vetëm gjatë vitit 2018, janë raportuar 16 raste të kërcënimeve apo sulmeve ndaj gazetarëve. I fundit është rasti i gazetarit të së përditshmes “Koha Ditore”, Agim Ademi, i cili u kërcënua nga një zyrtar i Komunës së Lipjanit. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës reagoi menjëherë duke e dënuar kërcënimin dhe gjuhën ofenduese të përdorur ndaj gazetarit, Agim Ademit, i cili ka pohuar se edhe në raste të tjera ka pasur presione e kërcënime gjatë kryerjes së punës së tij.

Edhe pse krahasuar me vitin 2017, sivjet ka më pak raste të raportimit të kërcënimeve e sulmeve ndaj gazetarëve, kjo shifër mbetet shqetësuese për AGK-në. Sipas këtij Asociacioni, në vitin 2017, janë raportuar 24 raste të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve.

Për t’i dalur në mbrojtje gazetarëve AGK që nga viti i kaluar ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi me Policinë dhe Prokurorinë e Shtetit.

Kryetarja e AGK-së, Gentiana Begolli Pustina, thotë se institucionet shtetërore të sigurisë janë duke i përmirësuar mekanizmat për mbrojtjen e gazetarëve. Ajo ka bërë të ditur se është caktuar edhe një koordinator nga Gjykata e Prishtinës, i cili merret me trajtimin e rasteve të gazetarëve. Sipas saj, AGK dhe policia kanë bërë marrëveshje për rastet e sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve me qëllim që ato t’i drejtohen departamentit të krimeve të rënda.

“Policia edhe më tutje inkurajohet nga AGK-ja që t’i zgjerojë hetimet për disa raste të sulmeve ndaj gazetarëve, sepse ne si AGK kërkojmë më shumë rezultate konkrete në rastet e kërcënimeve të gazetarëve. Sistemi i drejtësisë sikur lëngon në të gjitha aspektet, lëngon edhe në trajtimin e rastave të gazetarëve. Megjithatë, si rezultat i bashkëpunimit tonë me sistemin e drejtësisë, që nga viti i kaluar është caktuar edhe një koordinator nga Gjykata, i cili merret me rastet e gazetarëve, dhe nëse asgjë tjetër, tani e kemi një derë se ku të trokasim për të adresuar shqetësimet tona.”, ka thënë Begolli-Pustina.

“Pa diskutim që është një nismë e mirë në drejtim të krijimit të kushteve për ndriçimin sa më të shpejtë të rasteve të kërcënimeve ndaj gazetarëve, megjithatë, siç e potencova edhe më herët, nga institucionet përkatëse kerkojmë më shumë efikasitet në këtë drejtim.”, ka shtuar ajo.

Besim Kelmendi, koordinator në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit për rastet e veprave penale ndaj gazetarëve, beson që bashkëpunimi i këtij institucioni me AGK-në, ka bërë që gazetarët të mos hezitojnë t’i raportojnë rastet e sulmeve apo kërcënimeve. Sipas tij, Prokuroria e Shtetit u jep prioritet këtyre rasteve edhe për shkak se veprat ndaj gazetarëve bëjnë pjesë në kapitullin e veprave kundër jetës së njeriut.

“Konsideroj se ka pasur ndryshime të mira në këtë aspekt, për shkak se deri vonë gazetarët kanë hezituar t’i paraqesin rastet për shkak se nuk i kanë besur sistemit të drejtësisë. Ndërsa prej momentit që jemi caktuar ne si koordinatorë dhe duke iu falenderuar kontakteve të shpeshta që kemi me vet asociacionin, por edhe me vet gazetarët të cilët janë viktima të kërcënimeve apo edhe rasteve tjera të dhunës ndaj tyre, ata kanë filluar të bashkëpunojnë më shumë me ne. Dhe jemi gjatë gjithë kohës në kontakt me ta kurdo që kanë ndonjë kërcënim.”, ka thënë Kelmendi.

“Meqenëse veprat penale kundër gazetarëve janë vepra kundër jetës dhe bëjnë pjesë në kapitullin kundër jetës së njeriut, ato kanë prioritet. Dhe ne kërkojmë nga prokurorët e rasteve që ato të trajohen me urgjencë. Duke iu falenderuar vet kapitullit që ato bëjnë pjesë, atëherë ato e kanë një prioritet.”, ka shtuar Kelmendi. Sipas tij, gjatë këtij viti në Policinë dhe Prokurinë e shtetit janë paraqitur gjithsej 10 raste.

“Në Prokurori dhe Polici janë gjithsej 10 raste të paraqitura. Ka mundësi që disa nga gazetarët të mos i kenë paraqitur rastet në polici dhe prokurori, prandaj ekziston kjo adiferencë me rastet e paraqitura në AGK.”, ka thënë ai.

Zyrtarë të policisë së Kosovës, thonë se për të mbrojtur shprehjen e lirë të gazetarëve janë ngritur kapacitete për t’iu dhënë prioritet kërcënimeve apo sulmeve ndaj tyre, si në parandalim edhe në procedimin e tyre.
Në një përgjigje nga zyra e informimit të policisë, janë përshkruar edhe detyrat që ata i ndërmarrin në mënyrë që këto raste të trajtohen më shpejt.

“Sa i përket trajtimit të rasteve që ndodhin apo paraqiten ndaj gazetarëve, ju njoftojmë se policia ka ngritur kapacitete dhe ju ka dhënë prioritet trajtimit te këtyre rasteve si ne parandalimin por, edhe ne procedim të tyre. Për ketë, policia ka caktuar që te gjitha rastet të hetohen dhe të koordinohen në nivel qendror dhe atë ne drejtorinë përkatëse përgjegjëse për hetim të këtyre rasteve; çdo rast të hetohet në mënyrë “Ex Officio” nga policia, nga cilido raportim që vjen; rasti të dërgohet me Kallëzim Penal në Prokurori kompetente menjëherë pasi të ndodh rasti dhe të gjitha veprimet të koordinohen me prokurorin kompetent, që nga ndodhja ose paraqitja e rastit; të bëhen të gjitha vlerësimet e sigurisë fizike për viktimën etj. Ndërsa, ndaj te dyshuarit (të njohur apo të pa njohur), merren te gjitha veprimet ligjore, ku do dhe cili do që ai të jetë.”, është shkruar në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Nga ana tjetër, Begolli Pustina, ka thënë se përveç sulmeve e kërcënimeve ka raste kur gazetarët ndihen nën presion edhe për shkak të censurës nga redaksia përkatëse, duke mos pasur lirinë e duhur për trajtimin e çështjeve të ndryshme që janë në interes të përgjithshëm të shoqërisë. Sipas saj, këtu problematikë është vet gjendja e përgjithshme e gazetarëve dhe mungesa e motivimit, duke marrë parasysh edhe pagat e ulëta.

“Vazhdojmë të kemi gazetarë të cilët punojnë me vite të tëra nëpër medie dhe marrin nga 200-300 euro page.”, ka thënë Begolli Pustina.

Ajo ka shtuar se gjendja e gazetarëve në përgjithësi është mjaft e rëndë, mirëpo krahasuar me të kaluarën, është inkurajues fakti që gjatë këtij viti ka pasur më shumë raste të raportimit të kushteve të rënda nëpër redaksi dhe për vonesë të pagave, sinjale këto që tregojnë për ngritjen e guximit të gazetarëve për të pasqyruar të vërtetën e redaksive ku punojnë.

“Megjithatë ende nuk jemi të kënaqur marrë parasysh se jetojmë në mesin e këtij komuniteti dhe e dimë saktësisht se me cfarë ballafaqohen ata.”, ka thënë Begolli Pustina.

Për disa prej rasteve të kërcënimeve që kanë ndodhur më 2018, janë inicuar procedurat edhe në Gjykatë. AGK është në kontakt të vazhdueshëm me institucionet e drejtësisë që t’u ndihmojë gazetarëve.

Gazetare: Jehona Gjinovci

Ky shkrim është prodhim i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës në kuadër të projektit Platforma Rajonale e Ballkanit Perëndimor për Avokimin e Lirisë së Medias dhe Sigurisë së Gazetarëve, e themeluar në janar të vitit 2016 me ndihmën financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij publikimi nuk mund të konsiderohet në asnjë rrethanë si pasqyrim i qëndrimit të Bashkimit Evropian.