AGK dënon ashpër sulmin fizik ndaj ekipit të Gazetës Blic në veri të Mitrovicës

Source: Association of Journalists of Kosovo
AGK dënon ashpër sulmin fizik ndaj ekipit të Gazetës Blic në veri të Mitrovicës

PRISHTINË, 23.03.2020 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është njoftuar se ekipi i Gazetës Blic, i përbërë nga gazetarët Nebih Maxhuni, Diamant Bajra dhe kameramani Arsim Rexhepi, është sulmuar sot në veri të Mitrovicës, gjatë realizimit të një storje për situatën e krijuar nga virusi Corona.

Sipas raportimeve të Gaztës Blic, ekipi ishte afruar pranë një pike ku shitej miell dhe flisnin me qytetarët për të parë si po shkon furnizmi, kur ata janë sulmuar nga dy qytetarë, duke u goditur me grushte e shkelma.

Gazetari Maxhuni është duke marrë tretman mjekësor në spitalin e qytetit të Mitrovicës.

Policia e Kosovës është njoftuar për rastin dhe ekipi i Gazetës Blic është intervistuar. AGK kërkon nga organet e sigurisë që sa më parë ta hetojnë këtë rast.

AGK do ta përcjell me kujdes rastin në fjalë duke kërkuar hetime të shpejta dhe efikase.

Sulmi i tillë ndaj gazetareve është akt i shëmtuar dhe skandaloz i cili nuk përkon me një shoqëri të lirë dhe demokratike. Vlerësojmë se aktet e tilla nuk janë të drejtuara vetëm ndaj individëve, por ndaj lirisë së medieve, fjalës së lirë dhe ndaj të drejtës së qytetarëve për të qenë të informuar.