AGK dënon përzgjedhjen e mediave në mbulimin e marrëveshjes politike

0
151

PRISHTINË, 04.09.2017 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dënon përzgjedhjen e medias nga koalicioni PAN dhe partisë Aleanca Kosova e Re (AKR) me rastin e arritjes së marrëveshjes e cila ka për qëllim që të formojë institucionet pas zgjedhore.

AGK shpreh shqetësimin e thellë  pasi që mediat nuk ishin ftuar të mbulojnë ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet koalicionit PAN dhe AKR-së së Behgjet Pacollit. Në të vërtetë, Arbresh.info ishte portali i vetëm që mbuloj këtë ngjarje.

“AGK konsideron se në këtë aktivitet do të duhej të ftoheshin të gjitha mediat pa përjashtim,” thuhet në reagimin e asociacionit.

Pronari i portalit është Rrahim Pacolli, i afërm i presidentit të AKR-së, Behgjet Pacolli. Marrëveshja e re do të përfundoj bllokimin e formimit të institucioneve dhe do të mbyll krizën politike pas zgjedhore në Kosovë që nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 11 qershor 2017.

“Veprimi i sotëm i koalicionit PAN – AKR ka për qëllim ikjen e personaliteteve të caktuara politike nga mediat dhe gazetarët. Poashtu me këtë veprim, koalicioni në fjalë ka pasur për qëllim që diktojë raportimin e mediave për këtë marrëveshje që paraqet interes të jashtëzakonshëm për opinionin publik,” tha AGK.

AGK kërkon angazhim më të madh të subjekteve politike, sidomos atyre që mëtojnë ardhjen në pushtet që të jenë të gatshme të ballafaqohen dhe bashkëpunojnë me gazetarët.