AGK dhe KE – Zyra në Prishtinë mbajtën trajnimin “Mediet dhe sinjalizimi: sinjalizuesit si burim informacioni”

0
128

PRISHTINË, 27.11.2020 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovë – AGK në bashkëpunim me Këshillin e Evropës – Zyra në Prishtinë, në kuadër të projektit JUFREX 2, dje (26 nëntor), kanë mbajtur trajnimin për gazetarë “Mediet dhe sinjalizimi: sinjalizuesit si burim informacioni.” 

Pjesëmarrës në trajnim ishin gazetarë të medieve të ndryshme në Kosovë dhe aktivistë të shoqërisë civile, me të cilët është diskutuar për rëndësinë e sinjalizimit, për transparencën publike dhe kuadrin ligjor që rregullon këtë fushë.  

Çështjet në të cilat u fokusua trajnuesja, Flutura Kusari dhe pjesëmarrësit ishin: burimet e informacionit për gazetarë, llojet e sinjalizimit dhe mbrojtja e sinjalizuesve, duke sjell në vëmendje edhe rreziqet që mbart me vete kjo veprimtari.  

Gjatë trajnimit pos të tjerash u prezantuan legjislacioni i aplikueshëm në Kosovë për sinjalizim, shembuj konkret të cilët kanë ndodhur në vend si dhe standardet ndërkombëtare të sinjalizimit. 

Trajnimi është vazhdimësi e një cikli aktivitetesh të projektit JUFREX 2, i cili ka për qëllim ofrimin e njohurive për gazetarë në fusha të caktuara si: sinjalizimi, raportimi i gazetarëve për proceset gjyqësore, etikën e gazetarisë dhe të ngjashme si këto.  

Për shkak të pandemisë COVID 19, trajnimi u organizua në mënyrë virtuale përmes platformës “Zoom”.