AGK dhe UNHCR do të bashkëpunojnë në profesionalizimin e mëtutjeshëm të gazetarëve rreth raportimeve mbi temat për azilkërkuesit

0
187

PRISHTINË, 05.11.2020 – Kryetarja e bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli Pustina, ka zhvilluar një takim me Shefin e Zyrës së UNHCR-së në Kosovë, Erol Arduç, ku është biseduar në lidhje me modalitete të reja të bashkëpunimit, veçmas në profesionalizimin e mëtutjeshëm të gazetarëve të cilët raportojnë mbi çështjet e azilkërkuesve në Kosovë, sikurse edhe nevojën për takime me përfaqësues medialë, marrë parasysh ndjeshmërinë e raportimit mbi temën në fjalë.

Arduç e vlerësoi të një rëndësie të veçantë që të merren hapa konkret të cilët do të kontribuojnë në ngritjen e kapaciteteve për raportime sa më profesionale mbi çështjen e azilkërkuesve. Ndërkaq, që znj. Begolli-Pustina shprehu gatishmërinë e AGK-së që të kontribuojë në organizimet e nevojshme, me qëllim që raportimet në medie të trajtohen në mënyrën e duhur, pa lëshime që do të mund të cenonin të drejtat dhe liritë e imigrantëve të detyruar, respektivisht refugjatëve.

AGK dhe UNHCR gjatë ditëve në vazhdim do të koordinohen mbi organizimet konkrete të cilat do mundësojnë një raportim sa më profesional lidhur me zhvillimet e fundit rreth azilkërkuesve në Kosovë.

Zyra e Shefit të Misionit të UNHCR-së në Prishtinë ka për qëllim përfshirjen në zhvillimin e kornizave legjislative dhe administrative në fushat e azilit, regjistrimit të gjendjes civile dhe zgjedhjeve të qëndrueshme për popullatën e zhvendosur.