AGK mirëpret reagimin e Prokurorisë në rastin e Gazetës Online “Insajderi”, ku rrezikoheshin të humbnin punën 43 gazetarë

0
140

PRISHTINË 17.06.2020 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), e mirëpret arrestimin e njërit nga personat e dyshuar për sulme kibernetike ndaj Gazetës Online “Insajderi”, Ardian Alaj.

Arrestimin e Alajt e ka konfirmuar Policia e Kosovës. Alaj dyshohet për veprat penale, “Hyrje në sisteme kompjuterike”, “Vetëgjyqësia” dhe “Keqpërdorim i besimit” ndaj Gazetës Online “Insajderi” dhe disa mediave tjera.

“Lidhur me interesimin tuaj u njoftojmë se hetuesit policorë kanë zbatuar vendimin e Prokurorisë Themelore Prishtinë për arrestim dhe ndalim e të dyshuarit A.A (1985) nën dyshimin për kryerje të veprave penale: ‘Hyrje në sisteme kompjuterike, neni 327 i KPRK-së’, ‘Vetëgjyqësia, neni 410 i KPRK-së’ dhe ‘Keqpërdorim i besimit, neni 330 i KPRK-së’. I dyshuari, me aktvendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Krahas këtyre veprave penale, në portalin insajderi.com, javëve të fundit janë publikuar edhe shkrime linçuese ndaj gazetarëve Parim Olluri dhe Vehbi Kajtazi, të cilët e kanë në pronësi portalin “Insajderi”.

AGK kërkon nga strukturat kompetente të sqarojnë urgjentisht rastin e Gazetës Online “Insajderi” dhe të informojnë publikun për masat që do të ndërmarrin.

Zvarritja e këtij procesi rrezikon 43 punëtorët e këtij mediumi që të mbesin pa paga.