AGK: Politikanët të jenë bashkëpunues, të mos ofendojnë gazetarët

0
176

PRISHTINË, 08.11.2017 – AGK dënon gjuhën e përdorur nga Kryeparlamentari Kadri Veseli në një ngjarje në Prishtinë duke akuzuar një gazetare për ‘pyetjet e politizuara’.

Gazetarja Saranda Ramaj thotë se është ndier e fyer nga Kryeparlamentari Veseli pasi ajo i kishte bërë një pyetje. “Sot Kadri Veseli vizitoi QKUK-në. Pyetja ime ishte: Pse po e politizoni ndërtimin e Spitalit të Ferizajt kur paratë për këtë projekt janë zotuar dhe tenderi është shpallur në Qeverinë e kaluar?”, Rama kishte postuar në Facebook.

Veseli kishte refuzuar që të përgjigjej në pyetje. “Veseli më akuzoi se jam gazetare e politizuar dhe se bëj pyetje me porosi”, tha Ramaj.

“Duke ju referuar mënyrës së përgjigjes dhe konotacionit negativ, ne kërkojmë nga kryeparlamentari, gjithësecili politikan dhe udhëheqës shtetëror që të zgjedh forma më të mira të kundërshtimit sesa rrëshqitja në akuza të tilla që për qëllim kanë dëmtimin e imazhit të gazetarëve,” thuhet në reagimin e AGK-së.

AGK konsideron se kryeparlamentari do të duhej të përgjigjej në mënyrë profesionale duke dhënë argumentet e nevojshme e jo të vepronte në këtë formë.