AGK protestoi kundër sulmeve ndaj gazetarëve

0
139

PRISHTINË, 14/10/2017 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i përkrahur nga kolegë gazetarë, anëtarë të shoqerisë civile, profesorë universitarë, qytetarë dhe aktivistë të ndryshëm kanë protestuar sot në Prishtinë. Protesta është organizuar si kundërshtim i sulmeve fizike dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve në vend.

AGK kërkoi nga sistemi i drejtësisë që të aktivizohet në luftimin e këtyre formave të presionit ndaj gazetarëve. Kryetari i AGK-së, Shkelqim Hysenaj theksoi se ”është momenti i fundit kur të gjitha institucionet duke filluar nga Presidenti, Kryeministri, Kryetari i Kuvendit, Kryetarët e Gjykatave dhe të Prokurorisë të ndihmojnë komunitetin e gazetarëve i cili është i vetëm në luftën për të krijuar ambient të sigurtë për të ushtruar profesionin e gazetarisë”.

AGK poashtu kërkoi trajtim më të shpejtë të rasteve të cilat gjenden nëpër gjykata dhe prokurori.

Kosova nuk duhet të shndërrohet në një vend ku gazetarët janë të frikësuar të raportojnë apo thonë fjalën e lirë. AGK rikujton edhe njëherë se sulmi ndaj gazetarit Vehbi Kajtazi është rasti i 20-të, këtë vit, ndërkohë që Kosova në vazhdimësi është duke shënuar rënie sa i përket indeksit të lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetarëve në botë.