AGK: Raporti konfirmon gjetjet tona

0
168

KOSOVA – E renditur: 70 (+ 5 vende)

Ne biseduam me kryetaren e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli

Raporti i “Reporterëve pa kufij” konfirmon atë që ne si Asociacion i Gazetarëve të Kosovës e kemi proklamuar në vazhdimësi- se mediat tona po ballafaqohen me probleme të shumta dhe të ndryshme. Edhe pse Kosova ka shënuar përparim këtë vit duke u ngritur për pesë pozita (vendi 70) dhe po ashtu qëndron më mirë krahasuar me disa prej vendeve të rajonit- për ne janë shqetësuese gjetjet e organizatës “Reporterët pa Kufij”. Konsideroj se raporti pasqyron gjendjen reale, e cila është jo e kënaqshme sa i përket lirisë së medieve në Kosovë

Disa nga shqetësimet e përbashkëta, janë sulmet fizike, kërcënimet dhe linçimet ndaj gazetarëve, por edhe sulmet kibernetike, cak i të cilave kanë qenë disa mediume. Po ashtu sfidë vazhdon të jetë mungesa e transparencës sa i përket pronësisë së mediave, fakt ky që ato i bënë më të ekspozueshme karshi ndikimeve dhe presioneve që për qëllim kanë cënimin e lirisë së fjalës dhe raportimit profesional të gazetarëve.
Ashtu siç evidentohet edhe në raport, shumë media në Kosovë ballafaqohen me paqëndrueshmëri financiare, gjë që i bën ato të ndjeshme ndaj ndikimeve politike dhe kjo shpesh çon në vetë-censurim. Kur vije puna tek mediumet e komuniteteve pakicë, shumica prej tyre janë në prag të shuarjes, duke mbijetuar kryesisht nga donacionet e huaja.
Si shumëçka tjetër në Kosovë, edhe media është e ndarë ne vija etnike, ku qasja në informacion shpesh është e kufizuar në një grup etnik dhe politik. Por, ne si Asociacion vazhdimisht jemi angazhuar që nëpërmjet aktiviteteve të përbashkëta me kolegët e komuniteteve tjera, të tejkalohen dallimet etnike dhe mediet të inkurajohen që ta luajnë rolin e tyre për informim të saktë dhe objektiv, pavarësisht dallimeve etnike apo çfarëdo qofshin ato.
Me gjetjet e këtij raporti- ashtu siç kemi vepruar në vazhdimësi, ne do t’i alarmojmë institucionet relevante dhe do të avokojmë në funksion të krijimit të një ambienti më të sigurt të të bërit gazetari.