Aktakuzë ndaj biznesmenit që e kërcënoi redaksinë e gazetës “Insajderi”

0
242

PRISHTINË 19.10.2018 – Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit, Anton Jupa, për veprën penale të kanosjes, i cili, më datë 20.03.2018 e kishte bërë në drejtim të ekipit të gazetës online “Insajder”.

Pas raportimeve nga mediumi “Insajder”, për skandalin e mishit të prishur, ku kompania “Euro Ida” nga Rahoveci, pronari i së cilës është Anton Jupa, kishte importuar në Kosovë mish të vjetër nga kompania belge “Veviba”, Jupa kishte thirrur në redaksinë e Insajderit, me ç’rast e kishte kërcënuar me vrasje ekipin e saj.

“Problemet serioze janë shumë! Shumë serioze! A me ditë qaj personi që u kon i pari, pasha natën e babës që ka dekë e ai ka bo vetëvrasje, s’ka me e myt, vetëm kam me e copëtu me sakicë, kam me e copëtu edhe me masakru. Maje në mend qa po thom unë”, ishin fjalët të cilat i kishte thënë Jupa ekipit të redaksisë së gazetës “Insajder”.

Prokuroria e Themelore në Prizren, përveç ngritjes së aktakuzës për veprën penale të kanosjes, ndaj Jupës dhe tre personave të tjerë ka ngritur aktakuzë edhe për veprën penale prodhim dhe vënie në qarkullim të artikujve të dëmshëm ushqimor.