Gjykata vendos ndaj kërcënuesit të gazetarëve të Grupit Koha

0
140

PRISHTINË, 22.01.2020 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës mirëpret trajtimin relativisht të shpejtë gjyqësor të kërcënimit ndaj gazetarit të Kohës Ditore, Agim Ademi dhe gazetares së Kohavision, Dorentina Thaqi, por shpreh shqetësim për dënimin minimal të shqiptuar ndaj kërcënuesit.

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me gjobë prej 500 euro mësimdhënësin nga Ferizaj, i cili më 12.02.2019 ka ngacmuar, shantazhuar, dhe kërcënuar gazetarët e Grupit Koha. Nëse dënimi i shqiptuar në të holla nuk mund të ekzekutohet, gjykata dënimin me gjobë në bazë të nenit 46 par 3 të KPRK-së, do ta zëvendësojë me dënim me burg, ku një ditë burgim do të llogaritet me 20 euro gjobë.

AGK konsideron se dënimet simbolike minimale reflektojnë negativisht në ambientin e të bërit gazetari dhe inkurajojnë sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve.

Në aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë midis të tjerash thuhet se i akuzuari (R.M) është fajtor dhe ka kryer vepër penale Ngacmimi nga neni 186 par. 1 lidhur me par. 4 të KPRK-së, raporton Koha Ditore.

“I akuzuari R.M me anë të sjelljes së vëmendjes të vazhdueshme dhe të padëshirueshme, me qëllim ngacmimi dhe frikësimi, me datën 12.02.2019, rreth orës 13:00, si dhe dy herë të tjera para kësaj date, ka shkuar në redaksinë e grupit ‘Koha’ në Prishtinë, duke i kërkuar të dëmtuarit, gazetarin Agim Ademi dhe Dorentina Thaqi, që të takohen me të njëjtit, lidhur me një shkrim të publikuar në gazetën ‘Koha Ditore’ dhe në KTV, lidhur me një rast të sulmit, ku i dyshuari R.M kishte sulmuar një koleg të tij në shkollë, për çka të dëmtuarit janë ndier të frikësuar dhe të shqetësuar emocionalisht”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

AGK kërkon nga organet e drejtësisë që t’i trajtojnë me seriozitet rastet e sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve në mënyrë që t’iu mundësohet përmbushja e rolit të tyre jetik për garantimin dhe zhvillimin e demokracisë në vend. Dënimet e merituara duhet të jenë të pashmangshme në të gjitha rastet e sulmeve apo kërcënimeve ndaj gazetarëve, të cilat raportohen në vazhdimësi.