Gazetarët nuk mund ta dinë nivelin e klasifikimit të një dokumenti, i cil konsiderohet sekret shtetëror. Përveç kësaj, sipas ligjit në fuqi, gazetarët mund të dënohen deri në 12 vite burgim varësisht nga niveli i klasifikimit të dokumentit të cilin e publikojnë.
Ligji për klasifikimin e informacioneve njeh katër nivele të klasifikimit: nivelin ‘Tepër sekret’, ‘Sekret’, ‘Konfidencial’ dhe atë të ‘Kufizuar’.
Arsyetimi për të gjitha nivelet e klasifikimit është se hapja e paautorizuar e tyre do të dëmtonte [varësisht nga niveli] interesat e sigurisë së Republikës së Kosovës.
E kur përmenden interesat e sigurisë, i referohen mbrojtjes, veprimtarive të zbatimit te ligjit dhe zbulimit, marrëdhënieve me jashtë apo të sigurisë të Republikës së Kosovës, përfshirë integritetin e saj territorial, integritetin e institucioneve të saja, rregullin kushtetues si dhe stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik.
Por, në eksperiencën time si gazetare, ka pasur rase kur institucionet e kanë klasifikuar një dokument publik, madje përveç që nuk kanë treguar nivelin e klasifikimit, kanë kërcënuar edhe me burgim nëse i njëjti publikohet.
Një ndër to është MPJ, e cila nuk ka arritur të tregoj se pse një dokument i klasifikuar nga ta mund të cenojë interesat e sigurisë së Kosovës.
Në tetor të vitit 2018, Ministria e Punëve të Jashtme kishte nënshkruar kontratë me një kompani amerikane, kontratë e cila ishte publike në Amerikë, por e njëjta konsiderohej ‘dokument i klasifikuar’ nga shteti.
MPJ kishte thënëse një kontratë me një kompani amerikane është dokument i klasifikuar, ani pse ne kishim gjetur se e njëjta është publike në Departamentin e Drejtësisë të SHBA-së. Bëhej fjalë për një kontratë ku shteti do të paguajë 540 mijë euro për këshilla ligjore dhe mbështetje për marrëdhëniet e Qeverisë dhe aktivitetet e komunikimit publik.
Ne kishim pyetur nënshkruesin e kësaj kontrate, Anton Berisha, i cili vjen nga AAK, se për çfarë shërbimesh specifikisht bëhet fjalë dhe se kush e ka negociuar këtë kontratë, si dhe i dedikohet e njëjta Qeverisë apo edhe Zyrës se Kryeministrit. Por, ai ka thënë se kontrata është sekrete.
“Ju i referoheni një dokumenti që është i klasifikuar dhe si i tillë ka kufizimet ligjore. Çdo zyrtar brenda qeverisë, por edhe persona të tjerë fizikë e juridikë që e trajtojnë përmbajtjen jashtë normave të parapara dhe në mënyre të paautorizuar do të bartin pasoja administrative dhe ligjore”, thuhej në përgjigjen e Zyrës së Anton Berishës.
Rrjedhimisht, pasojë ligjore referuar ligjit është edhe burgimi deri në 12 vite, varësisht nga niveli i klasifikimit. E ky institucion nuk kishte treguar as nivelin e klasifikimit.
Por, kontratën që Berisha i referohet si sekrete, ne e kemi gjetur të publikuar në Departamentin e Drejtësisë të SHBA-së.
Ne pyetje shtesë, se si mund të konsiderohet dokument i klasifikuar një kontratë e cila është publike dhe mbi çfarë kriteresh është klasifikuar e njëjta.
“Pala tjetër ka të drejtën e publikimit, në kufizimet sipas kontratës”, thuhej në përgjigje.
Por, ligji në nenin 4 të tij, parasheh edhe kriteret e klasifikimit. Ndërsa një nen më poshtë tregohen edhe rastet kur nuk mund të ndodhë klasifikimi.
“…parandaluar apo vonuar publikimin e një informacioni, e cila qartazi nuk ka të bëjë me çështje të sigurisë”, thuhet në njërën nga pikat e nenit 5.
Të pyetur se mbi çfarë baze është klasifikuar një kontratë publike, MPJ kishte thënë se dokumenti është i klasifikuar si i tillë në përputhje me kompetencat që ka qeveria, por nuk jep përgjigje se si mund të klasifikohet si sekret një dokument i cili është publik.
Por, ne nuk kishte marrë përgjigje se në cilin nga këto nivele është i klasifikuar dokumenti në fjalë, e cila kontratë është publike.
Kontrata e nënshkruar në Prishtinë, thirrej në vendimin me numër 12/18 të Qeverisë, të datës 16.02.2018, por ky vendim nuk është publik në faqen e Qeverisë.
Ne kemi pyetur edhe Zyrën e Kryeministrit nëse ekziston një vendim i tillë, por nuk ka marrë përgjigje.
Në faqen zyrtare të ZKM-së, në të cilën publikohen vendimet e Qeverisë, nuk ka vendim të kësaj date.
Ligji për klasifikim, në nenin 11, jep edhe detaje edhe për kohëzgjatjen e klasifikimit, ku varësisht nga rëndësia e dokumentit, një i tillë mund të mbetet i klasifikuar nga 1 deri në 25 vite.
Dokumentet që përmbajnë informacione të klasifikuara si “KONFIDENCIALE” apo në nivel më të lartë, shkruhen, përkthehen, ruhen, kopjohen apo në çfarëdo forme tjetër riprodhohen vetëm nga personat të cilët kanë leje të vlefshme mbi sigurinë për nivelin e klasifikimit të dokumentit përkatës.
Programin Legjislativ të Qeverisë për vitin 2018, kishte paraparë që Ligji për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë, të amandamentohej në qershor të këtij viti. por Qeveria thotë se ky ligj ende nuk ka hyrë në procedurën e plotësim-ndryshimit.
Author: Erjone Popova
Ky shkrim është prodhim i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës në kuadër të projektit Platforma Rajonale e Ballkanit Perëndimor për Avokimin e Lirisë së Medias dhe Sigurisë së Gazetarëve, e themeluar në janar të vitit 2016 me ndihmën financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij publikimi nuk mund të konsiderohet në asnjë rrethanë si pasqyrim i qëndrimit të Bashkimit Evropian.