KOSOVA PËSON RËNIE PËR 8 VENDE NË RAPORTIN E “REPORTERËVE PA KUFIJ”

KOSOVA PËSON RËNIE PËR 8 VENDE NË RAPORTIN E “REPORTERËVE PA KUFIJ”

PRISHTINË, 20.04.2021 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK,shpreh shqetësim lidhur me gjetjet e organizatës “Reporterët pa Kufij”, për gjendjen e lirisë së medieve në Kosovë, në raportin e publikuar për vitin 2021.

Kosova është renditur në vendin e 78-të në botë sa i përket lirisë së shtypit dhe qëndron më mirë krahasuar me disa vende të rajonit. Megjithatë, rënia që ka pësuar Kosova për 8 vende në Indeks, dëshmon gjendjen reale, jo të kënaqshme të lirisë së medieve në Kosovë.

Njëjtë si vitin e kaluar, raporti evidenton paqëndrueshmërinë e vazhdueshme të medieve, ku pothuajse si gjithçka tjetër në vend, mbetet e ndarë në vija etnike. Aty theksohet se qasja në informacion shpesh është e kufizuar në një grup etnik ose politik, me shumicën e medieve që raportojnë kryesisht për çështje që kanë të bëjnë me kombësinë e tyre. Disa nga shqetësimet e përbashkëta, sipas raportit, janë sulmet fizike dhe verbale ndaj gazetarëve, sulmet kibernetike ndaj medieve online si dhe mungesa e transparencës sa i përket pronësisë së medieve.

Sipas indeksit të “Reporterët pa kufij”, shumë media në Kosovë nuk kanë qëndrueshmëri financiare, gjë që i bën ato të ndjeshme ndaj ndikimeve politike. Shumë gazeta u ndaluan së botuari si pasojë e pandemisë COVID-19. Aty gjithashtu theksohet rasti i shoqërimit në polici i gazetares, Tatjana Lazarevic, për çka pati reaguar AGK-ja.

Fati i shumë gazetarëve të vrarë dhe të zhdukur gjatë konfliktit të fundit të vitit 1999, mbetet ende i panjohur, gjithashtu përmendet në raport.

Nga vendet e rajonit, sipas Indeksit, Kroacia e ka renditjen më të ulët, në vendin e 56-të. Vendet tjera e kanë këtë renditje: Mali i Zi 104, Serbia 93, Shqipëria 83, Bosnje dhe Hercegovina 58.

AGK-ja vlerëson se gjetjet e këtij raporti duhet të jenë alarm për institucionet e vendit në funksion të krijimit të një ambienti më të mirë dhe të sigurt të të bërit gazetari.