KPM nuk i përgjigjet shqetësimeve të AGK-së rreth ndryshimit të Kodit Etik

0
209

PRISHTINË, 24.01.2020 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ende nuk ka pranuar asnjë përgjigje nga Komisioni i Pavarur për Media (KPM), lidhur me pyetjet dhe shqetësimet e ngritura ditë më parë, së bashku me juristen e medias, Flutura Kusari, mbi propozimin e KPM-së për ndryshimin e Draft Kodit të Etikës për Ofruesit e Shërbimeve Mediale Audio dhe Audiovizuele në Republikën e Kosovës (Draft Kodi i Etikës) dhe Draft Rregulloren për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të Miturve në Shërbimet Mediale Audio dhe Audiovizuele (Draft Rregullorja).

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës së bashku me znj. Kusari, kanë shqyrtuar Draft Kodin e Etikës dhe Draft Rregulloren dhe konsiderojmë se të dyja dokumentet përmbajnë nene, të cilat do të cenojnë lirinë e shprehjes së gazetarëve dhe lirinë e medias.

Në veçanti, ne jemi të shqetësuar me Draft Kodin e Etikës i cili rikthen ndalimin e raportimit nga gjykatat, sikurse kishte ekzistuar me Kodin e vjetër të Etikës të vitit 2010. Kodi i Etikës i vitit 2016, që është ende ne fuqi dhe është hartuar me ekspertë ndërkombëtarë, kishte eliminuar nenet që pengonin raportimin nga gjykatat. KPM ka rikthyer ndalimin e raportimit nga gjykatat. Ne po ashtu kemi shqetësime për disa nga nenet e propozuara në Draft Rregullore.

Për të kuptuar këto propozime, kemi kërkuar sqarime nga përfaqësuesit e Komisionit të Pavarur për Media, në çështjet në vijim:

– Cilat janë arsyet që e kanë shtyrë amandamentimin e Draft Kodit të Etikës dhe Draft Rregullores?

– A është bërë ndonjë analizë ligjore e të metave të Kodit të Etikës dhe Rregullores në fuqi të cilat KPM pretendon t’i adresoj në procesin e amandamentimit? Nëse po, të ndahet me neve.

– Në cilat standarde ndërkombëtare është bazuar KPM kur kanë propozuar ndalimin e raportimit nga gjykatat?

– Gjatë amandamentimit, a kanë kërkuar ekspertizë dhe mbështetje nga ndonjëra nga institucionet ndërkombëtare prezente në Kosovë dhe aktive në fushën e lirisë së medias?

Përfaqësuesit e AGK-së dhe znj. Kusari gjithashtu kanë kërkuar të marrin pjesë në takimin e sotëm të KPM-së, mirëpo përmes një përgjigje elektronike, përfaqësuesit e KPM-së e kanë refuzuar këtë kërkesë. Sipas tyre, takimi i planifikuar është takim konsultativ dhe duke pas parasysh se takimi konsultativ, nuk është mbledhje e rregullt e Komisionit, rrjedhimisht edhe nuk është publik.

Kërkojmë nga përfaqësuesit e KPM-së që të mos e aprovojnë Draft Kodin e Etikës dhe Draft Rregulloren sepse me këto ndryshime ligjore do të cenohet rëndë liria e shprehjes së gazetarëve dhe liria e medieve në Kosovë.