PRISHTINË, 08.09.2020 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), e vlerëson të papranueshme gjuhën e përdorur nga kryetari i AAK-së, njëherësh ish-kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, në drejtim të gazetarëve.
Haradinaj mbrëmë (7 shtator), në një emision debatues i ka quajtur “zagarë”, gazetarët që kanë raportuar nga Washingtoni, duke thënë se shumë prej tyre janë mercenarë që “me një kaçik të sulmojnë”.
“Kur më kanë thënë mua që ty do të sulmojnë mi kanë lëshuar menjëherë zagarët në shpinë, zagarët janë shumë gazetarë mercenarë që me një kaçik të sulmojnë. Menjëherë më kanë sulmuar, në sekond sikur kam kundërshtuar për Ujmanin, shihni prononcimet e gazetarëve tanë në Kosovë që kanë shkuar atje, gazetarët serbë nuk bëjnë kështu. Gazetarët serbë, e mbrojnë Vuçiqin. Gazetarët që kanë qenë në Washington, shihi statuset…”, ka thënë ndër të tjera Haradinaj.
Për AGK-në është shqetësues fakti që gazetarët ende janë pre e linçimeve të tilla. Etiketimet si këto nga ish-kryeministri i vendit për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, janë tërësisht të papranueshme dhe cenojnë rëndë lirinë e shprehjes.
AGK u bën thirrje përfaqësuesve të shtetit dhe liderëve politikë që të njohin rolin e gazetarëve në një shoqëri demokratike dhe të përmbahen nga ushtrimi i presioneve ndaj tyre. Secili sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik dhe demokracisë në vend.