PRISHTINË, 16.12.2017 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e dënon ashpër linçimin publik ndaj gazetares Arta Avdiu nga Këshilltarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Jeta Rafuna.
Asamblistja Rafuna, përmes një postimi në facebook, ka akuzuar pa bazë gazetaren Arta Avdiu për lidhje të afërta me Lëvizjen Vetëvendosje, duke përdorur një fotografi nga jeta private e saj.
AGK konsideron se gjuha e tillë denigruese dhe shpifjet ndaj gazetarëve janë të papranueshme dhe cënojnë rëndë kredibilitetin e gazetarëve dhe lirinë e medieve.
Kjo gjuhë, e cila vjen nga një përfaqësuese e zgjedhur e qytetarëve është shqetësuese dhe e rrezikshme për demokracinë në vend.
AGK kërkon nga këshilltarja Rafuna që ta heq sa me parë këtë postim dhe të kërkoj falje publike ndaj gazetares Arta Avdiu ndërsa nga Lidhja Demokratike e Kosovës të distancohet nga kjo formë linçimi ndaj gazetarëve.