AGK dënon ndërhyrjen në punën e gazetarëve

AGK dënon ndërhyrjen në punën e gazetarëve

PRISHTINË, 18.09.2018 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dënon gjuhën e përdorur në një reagim të kompanisë “KAWA Group” ndaj gazetarëve të portalit “Insajderi” në lidhje me një shkrim të publikuar nga këta të fundit.

Për AGK-në, është e papranueshme dhe ndërhyrje e drejtpërdrejtë në profesionin e gazetarëve dhe lirinë e medieve, përpjekja e kompanisë në fjalë për ta kontrolluar punën e gazetarëve dhe për t’i mësuar ata se si duhet ta kryejnë punën e tyre në terren.

Sikurse, për AGK, është e papranueshme edhe çfarëdo etiketimi mbi bazë të paragjykimeve ndaj gazetarëve, siç ka ndodhur në reagimin e kompanisë në fjalë ndaj gazetarëve të mediumit “Insajderi”.

AGK thekson se gazetarët kanë të drejtën e tyre të përcjellin çfarëdo ngjarje publike dhe të raportojnë të lirë.

AGK mbështet raportimin objektiv dhe profesional ndërsa inkurajon palët e pakënaqura që të ndjekin rrugët ligjore për çdo pretendim që mund të kenë, duke u përmbajtur nga etiketimet dhe ofendimet publike.