PRISHTINË, 08.12.2017 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka pritur me shqetësim raportimin e anëtarëve të vet, të cilët gjatë ditës së enjte, deri sa po mbahej shqyrtimi gjyqësor ndaj deputeteve të Vetëvendosjes kanë pasur një trajtim mjaft të vrazhdë dhe aspak korrekt nga ana e rreshterës së Policisë së Kosovës, Dafina Gashi – përgjegjëse për sigurinë e Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Oficerja Gashi pa ndonjë arsye të qëndrueshme, pas përfundimit të seancës gjyqësore, ka urdhëruar policët tjerë që ta shoqërojnë njërin gazetar, Mentor Gjergjaj. Ai u dërgua në një nga sallat në Pallatin e Drejtësisë dhe i cili u përball me presion verbal nga zyrtarja policore Gashi. “Nuk ki nevojë mem kallxu ti mu a me bërtit apo jo. Kush je ti?”, Gashi i tha gazetarit kur ky i fundit i ka kërkuar që të ulë tonin gjatë komunikimit.
Zyrtarja policore ka urdhëruar policët tjerë që t’i marrin informatat personale nga gazetari pa dhënë asnjë shpjegim për një veprim të tillë.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dënon çdo presion verbal dhe trajtim jo adekuat që ju është bërë gazetarëve gjatë punës së tyre, deri sa po raportonin nga seanca gjyqësore, që ishte e hapur për mediet dhe publikun.
Konsiderojmë se një sjellje dhe presion i tillë, përbën cenim të drejtpërdrejtë në punën e gazetarëve. Andaj, AGK ju bënë thirrje të gjithë mekanizmave ligj-zbatues në vend që të kenë konsideratën për punën e gazetarëve dhe t’i trajtojnë ata me respekt dhe në mënyrë të dinjitetshme.