AGK: Shtënia me armë zjarri në drejtim të veturës së gazetarit Shkumbin Kajtazi, goditje e rëndë për lirinë e shprehjes

AGK: Shtënia me armë zjarri në drejtim të veturës së gazetarit Shkumbin Kajtazi, goditje e rëndë për lirinë e shprehjes

PRISHTINË, 18.10.2020 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e dënon ashpër sulmin me armë zjarri në drejtim të veturës së gazetarit të gazetës online, Reporteri.net, Shkumbin Kajtazi.

Gazetari përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka njoftuar se mbrëmë në Mitrovicë vetura e tij është qëlluar me disa plumba.

“Mbrëmë u përballa me një sulm të rrezikshëm: vetura ime është qëllua me 5 ose 6 plumba. Ngjarja ka ndodhur rreth mesnatës, ku vetura ishte e parkuar në qendër të Mitrovicës”, ka shkruar ai.

Kajtazi më tej ka bërë të ditur se rastin e ka lajmëruar në Polici, ku ka deklaruar se sulmi lidhet me punën e tij, meqë siç ka deklaruar vetë ai, probleme personale nuk ka pasur.

AGK-ja ka kontaktuar Policinë e Kosovës, të cilët kanë deklaruar se rasti është duke u hetuar.

“Rasti është iniciuar dhe po hetohet si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”. Në vend të ngjarjes në veturën e dëmtuar janë gjetur katër predha të armës. Nuk raportohet për të lënduar. Hetuesit policorë janë duke punuar”, ka deklaruar Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

Për AGK-në, sulmi me armë zjarri në veturën e gazetarit Kajtazi është tejet shqetësues dhe rëndon jo vetëm klimën e të bërit gazetari, por rrezikon edhe jetën e kolegëve tanë. AGK fton organet kompetente që ta hetojnë sa më shpejtë këtë rast, në mënyrë që personat që kanë kryer këtë akt të dalin para drejtësisë.

Është shqetësues fakti se si brenda një periudhe prej katër muajsh kanë ndodhur dy sulme në drejtim të gazetarit, Shkumbin Kajtazi.

Secili sulm në drejtim të gazetarëve është sulm ndaj interesit publik dhe demokracisë në vend.