AGK siguron zyrat pa kosto financiare

AGK siguron zyrat pa kosto financiare

PRISHTINË, 11.02.2020 – Ndërmarrja Publike Banesore së bashku me Komunën e Prishtinës edhe sivjet kanë siguruar dy zyra për funksionimin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, organizatës më përfaqësuese të komunitetit të gazetarëve në vend.

Marrë parasysh se veprimtaria e AGK-së është e varur nga donatorët dhe partnerët kryesisht ndërkombëtarë dhe duke parë nevojën për hapësirë adekuate, që nga gushti i vitit 2019, NPB ia ka mundësuar AGK-së, zhvendosjen në objektet e reja duke e liruar nga pagesa e qirasë.

Më parë, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kishte paguar rreth 400 euro qira mujore në një objekt privat.

AGK shpreh falënderim për ndihmën dhe korrektësinë e drejtuesve të Ndërmarrjes Publike Banesore dhe Komunës së Prishtinës, të cilët përmes kësaj marrëveshjeje kanë lehtësuar punën dhe funksionimin e AGK-së.

AGK shprehet e përkushtuar për respektimin e marrëveshjes dhe shpreh gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit edhe gjatë viteve të ardhshme.