SafeJournalists: Gazetari kosovar Shkumbin Kajtazi përsëri në shënjestër

SafeJournalists: Gazetari kosovar Shkumbin Kajtazi përsëri në shënjestër

Për herë të dytë brenda katër muajsh, Shkumbin Kajtazi bëhet shënjestër: kësaj radhe vetura e Kajtazit u qëllua me armë duke iu thyer xhamat dhe duke e vrimuar në pjesën e përparme dhe sedijet e pasme.

Të dielën, më 18 tetor në orët e para të mëngjesit, Shkumbin Kajtazi, e gjen veturën e tij të shpuar nga plumbat dhe me gëzhoja plumbash përreth.

Për Rrjetin SafeJournalists Kajtazi ka shpjeguar që ka qenë në afërsi kur e ka dëgjuar zhurmën, andaj ka ecur në drejtim të saj. Ai e ka gjetur veturën e tij të dëmtuar dhe ka kuptuar më pas se tek makina e tij kishte gëzhoja plumbash. Kajtazi e ka njoftuar Policinë e Kosovës menjëherë dhe e ka iniciuar rastin.

Raportet tregojnë se xhami i veturës është qëlluar dhe xhami i thyer me plumba kanë mbetur në karrigen e ngasësit të veturës, së bashku me pjesën e përparme dhe sedijet e pasme. Makina e tij është shënjestruar edhe herën e kaluar, ku është tentuar të digjet, më 13 qershor 2020. 

Në prononcimin e tij për rrjetin SafeJournalists Kajtazi ka shpjeguar tutje se sikur sulmi i kaluar, ai beson se edhe ky sulm ka të bëj me punën e tij. Kajtazi ka shpjeguar se është informuar nga Prokuroria se personi i dyshuar për tentim zjarrvënie e ka pranuar krimin, duke pohuar se ky sulm kishte të bënte me temat të cilat i mbulon Kajtazi.

“Dyshimet e mia nuk bien mbi askënd konkretisht, por jam i sigurt se kjo nuk ka të bëjë me arsye personale” – u shpreh Kajtazi duke shtuar tutje se prolongimi dhe moszgjidhja e rasteve të sulmeve në drejtim të gazetareve është shqetësuese dhe si rrjedhojë po shpeshtohen këto sulme. “E ftoj Policinë e Kosovës t’i trajtojë me shumë seriozitet rastet e sulmeve ndaj gazetarëve dhe përpos përcjelljes së procedurave të rregullta, t’i prioritizojnë këto raste, meqë sulmet në drejtim të gazetarëve janë sulme në drejtim të lirisë së shprehjes”, përfundoi ai.

Anëtari i Rrjetit SafeJournalists, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), fton autoritetet kosovare të ndërmarrin masa të menjëhershme dhe sa më parë t’a zgjidhin këtë rast, si dhe të gjitha rastet e tjera të sulmeve në drejtim të gazetarëve.

“Shtënia me armë në drejtim të veturës së Kajtazit është shqetësuese dhe e papranueshme. AGK konsideron se kjo kërcënon edhe jetën e kolegëve tanë gazetarë”, u shpreh Gentiana Begolli Pustina, Kryetare e AGK-së. “Kajtazi është pre e sulmeve për herë të dytë brenda katër muajsh. Me anë të sulmeve dhe kërcënimeve të këtilla po synohen të heshtën kolegët tanë gazetarë. Këto raste nuk e rëndojnë vetëm klimën e të bërit gazetari në Kosovë, por kërcënojnë edhe jetën e secilit gazetarë në Kosovë.”

Rrjeti SafeJournalists, me anëtarësi prej mëse 8 mijë e 200 punonjësish medial në Ballkanin Perëndimor është jashtëzakonisht i shqetësuar me rritjen e numrit të sulmeve në drejtim të gazetarëve në Kosovë. Më 10 tetor, është hyrë me dhunë zyrat e Gazetës Express ku u kërcënuan me jetë gazetarët prezent, dhe tani Kajtazi u shënjestrua përsëri. Kërkojmë intervenim të sa mëparshëm të autoriteteve Kosovare. Identifikimi dhe dënimi i merituar i keqbërësve përçon mesazh të qartë se këto sulme janë të papranueshme.

Rrjeti SafeJournalists do t’i informojë të gjithë akterët relevant kombëtarë dhe ndërkombëtar lidhur me këtë rast.

Secili sulm në drejtim të gazetarëve është sulm në interesin publik, demokracinë dhe të drejtat e qytetarëve.

Beograd – Podgoricë – Prishtinë – Sarajevë – Shkup – Zagreb, 19.10.2020

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

Asociacioni i Gazetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës

Sindikata e Mediave e Malit të Zi

Asociacioni i Gazetarëve Kroatë

Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë

Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të Serbisë