EDICIONI I 15-TË I NDARJES SË ÇMIMEVE VJETORE TË GAZETARISË PËR ÇRRËNJOSJËN E VARFËRISË

EDICIONI I 15-TË I NDARJES SË ÇMIMEVE VJETORE TË GAZETARISË PËR ÇRRËNJOSJËN E VARFËRISË

PRISHTINË, 20.10.2020 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), në bashkëpunim me agjencitë e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT), nën koordinimin e Zyrës së Koordinatores për Zhvillim – Ulrika Richardson, ka mbajtur sot edicionin jubilar, atë të 15-të për ndarjen e çmimeve më të mira vjetore të gazetarisë që për qëllim kanë çrrënjosjen e varfërisë.

Nora Xhuzi dhe kameramani Edon Gërbani të Radio Televizionit të Kosovës, u shpërblyen për video-storjen e shkurtër më të mirë nga Shefja e Zyrës së UN Women në Kosovë, Vlora Tuzi Nushi.

Çmim për video-storjen e shkurtër më të mirë, mori edhe gazetarja Angjelka Çup nga portali “Graçanicaonline”. Ajo u shpërblye nga Larissa Bruun, zv. Shefe e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë.

Çmimi për storjen e shkruar më të mirë iu nda gazetarit të Kohës Ditore, Rexhep Maloku nga Maria Suokko, Shefe e Zyrës së UNDP-së në Kosovë.

Në ndërkohë që në kategorinë “Dokumentari më i mirë televiziv”, çmimin e fitoi dokumentari i gazetares Valdete Osmani nga Radio Televizionin e Kosovës, çmim ky i ndarë nga Visare Mujko Nimani, Shefe e Zyrës së UNFPA-së në Kosovë.

Për fotografinë më të mirë u shpërblye fotografi, Valdrin Fetahu nga portali “Gazeta Objektiv”, çmim i cili u nda nga Blerim Azizi, Koordinator i Zyrës së UN Volenteers në Kosovë.

Krahas ndarjes së çmimeve, të pranishmëve iu adresuan edhe Kryetarja e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli Pustina dhe Koordinatorja për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara, Ulrika Richardson.

Kryetarja e AGK-së, Begolli Pustina, gjatë fjalimit të saj tha se pandemia paralizoi shumëçka këtë vit, ekonominë, prodhimin, jetën sociale, por jo edhe punën e gazetarëve. Sipas saj, kolegët tanë, pos që ishin në vijën e parë të frontit duke raportuar nga spitalet e stërmbushura me pacientë, ata për asnjë moment nuk e lanë anash raportimin për ata që mezi mbijetojnë nga varfëria.

“Këto nuk janë raportime thjeshtë për raste individuale, por mesazhe të forta për nevojën urgjente që shteti të dëshmojë se kujdeset për këtë kategori. Ndoshta, me pak euro në xhep edhe vetë, shumë gazetarë pasqyruan Kosovën e vërtetë, atë që jo të gjithë e shohim nga afër. Zëri i tyre do të ishte i heshtur e nuk do ta dëgjonim as sot, pa përkushtimin e jashtëzakonshëm të kolegëve tanë nga të gjithë etnitë që jetojnë në Kosovë”, deklaroi ajo.

Teksa, në fjalën e saj, Ulirika Richardson – Koordinatore për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara, theksoi rëndësinë e të diskutuarit për varfërinë, pasi që për herë të parë në 20 vjet, shkalla e varfërisë do të rritet shkaku i pandemisë COVID 19.

“Jemi këtu sot për të festuar punën që e bëni ju, në veçanti atë me fokus në varfëri… Është shumë e rëndësishme të diskutojmë, të dëgjojmë e të shohim storje për varfërinë. Kjo gjë na tërheqë vëmendjen, sepse na dëshmon sesa e vështirë është ta luftojmë varfërinë, sepse siç e pamë nuk mund ta ushqesh familjen me dy euro në ditë. Pandemia COVID 19, ka ekspozuar anën e ndjeshme të shoqërisë sonë dhe veçanërisht shërbimet tona sociale, prandaj është shumë e rëndësishme që të flasim për të, se nëse nuk flasim rrezikojmë të harrojmë se kush janë njerëzit që jetojnë në varfëri dhe pse ata jetojnë në varfëri.”, tha Richardson.

Në fund të ceremonisë, Begolli Pustina, përgëzoi kolegët për çmimet e fituara dhe në të njëjtën kohë në emër të AGK-së dhe komunitetit të gazetarëve, kameramanëve dhe fotoreporterëve, shprehu mirënjohje të përzemërt për agjencitë e Kombeve të Bashkuara në Kosovë në krye me Ulirika Richardson, të cilët për 15 vite radhazi ishin përkrah gazetarëve, jo vetëm në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të tyre, por edhe në inkurajimin dhe shpërblimin e punës së tyre.

Organizimi i sotëm u mbajt për nder të Ditës Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë që shënohet më 17 Tetor, e cila u caktua në bazë të Rezolutës së Kombeve të Bashkuara të miratuar më 2 dhjetor të vitit 1992 nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së.