PRISHTINË, 03.02.2017 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës organizoi një tryezë diskutimi mbi raportin “Treguesit e nivelit të lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetareve”. Në këtë tryezë u diskutua edhe për rekomandimet e dala nga raporti.
Kryeministri Isa Mustafa u zotua se do të angazhohet më shumë në rritjen e transparencës. Kryeministri theksoi se “janë duke punuar në strategji të ndryshme për të arritur deri në atë pikë ku gazetarët nuk do të mbesin asnjëherë pa përgjigje”.
Ndërkohë kryetari i AGK-së, Shkelqim Hysenaj kërkoi nga qeveria që të angazhohet më shumë në rritjen e transparencës dhe krijimin e mekanizmave adekuat për të mbrojtur gazetarët. Hysenaj shprehi shqetësimin e gazetarëve sa i përket trajtimit të rasteve kur gazetarët janë viktimë e dhunës, kërcënimeve dhe fushatave linçuese.
Zëdhënësja e zyrës së përfaqësueses së BE-së, Dinka Zivalj ka vlerësuar raportin duke i dhënë mbështetje AGK-së. Zivalj ka ngritur një çështje tjetër si problem, pronësinë e mediave online, duke thënë se “duhet të gjendet një zgjidhje adekuate”. Ndërkohë avokati i popullit, Hilmi Jashari ka thënë se mungon linjë e qartë ligjore përmes së cilës do të sigurohej respektim i të drejtave të gazetarëve.
Kryeredaktori i gazetës Koha Ditore, Agron Bajrami ka qenë kritik sa i përket transparencës së institucioneve. Bajrami poashtu ka ngritur si shqetësim ndikimin e politikës në disa prej mediave.
Tryeza ishte e ndarë në tri panele, dy prej tyre profesionale duke përfshirë temën “Mekanizmat shtetëror për mbrojtjen e gazetarëve” dhe“Pozita ekonomike e gazetarëve, etika profesionale dhe censura”.
Kryetari i KMSHK-së Imer Mushkolaj ka thënë se duhet investuar më shumë në aspektin etik të mediave. Sipas Mushkolajt pozita e gazetarit është e rënë pasi ekziston një jostabilitet në fushën e mediave.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Naim Rexha tha se policia ka trajtuar 154 raste, prej tyre në administrim policor sipas z.Rexha mbesin 17. Rastet e tjera janë përcjellë tek prokuroria. Ndërkohë qe zëvendësdrejtori Rexha ka thënë se rastet e mbetura janë nga viti 2016.
Ndërkohë në panelin e fundit për përvojat e tyre kanë folur, Kreshnik Gashi – Birn, Vehbi Kajtazi – Insajderi.com, Serbeze Haxhija – RTK dhe Blerim Xhemajli – Klan Kosova.