Prishtinë, 09.12.2019 – Fituese e çmimit për gazetari kundër korrupsionit për vitin 2019 është shpallur gazetarja Ardiana Thaçi Mehmeti, e cila ka realizuar një seri storjesh në lidhje me nepotizmin dhe korrupsionin në ndërmarrjet publike në Kosovë.
Shkrimi në linkun vijues:
https://jacaward.com/author/ardiana-thaci-mehmeti/
Çmimi është ndarë nga Zyra e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, përmes projektit për mbështetje të përpjekjeve anti-korrupsion në Kosovë, (SAEK II), mbështetur nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim në Kosovë. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka qenë pjesë e promovimit të thirrjes dhe përzgjedhjes së panelit për një pjesë të vlerësimit (33%) të storjeve të kualifikuara, ndërsa i gjithë procesi ka pasur tri faza vlerësuese.
Në finale të garës për këtë çmim ishin kualifikuar tre gazetarë me storiet e tyre:
- Ardiana Thaçi Mehmeti (Kohavision-KTV): Me seri storjesh për nepotizëm dhe korrupsion në ndërmarrjet publike.
- Kreshnik Gashi (Drejtësia në Kosovë): Katër emisione të bashkuara në një vend, “Lidhja e Policisë me Kontrabandën”.
- Besnik Krasniqi (Koha Ditore): “Abuzimi me komasacionin lë fermerët pa tapi” dhe “Komasacioni lë belanë te fermerët dhe çon milionat te kompanitë”.
AGK uron fituesen e çmimit dhe shpreh mbështetjen për gazetari cilësore. AGK do të vazhdojë përkushtimin e saj për bashkëpunim të mëtejmë me organizatat që promovojnë gazetarët dhe gazetarinë në përgjithësi.