
PRISHTINË, 11. 02. 2020 – Pas shqetësimeve të ngritura nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, juristja e medias Flutura Kusari, dhe organizatat e ndryshme vendore e ndërkombëtare, Komisioni i Pavarur për Media ka vendosur që të pezulloi procesin e plotësim-ndryshimit të Kodit Etik për Ofruesit e Shërbimeve Mediale Audio dhe Audiovizuele.
KPM në një vendim të datës 11 shkurt 2020, sqaron se ka analizuar komentet e palëve të interesit dhe në mënyrë që ato komente të analizohen dhe propozim-ndryshimet e reja të rivlerësohen, ka pezulluar procedurën e ndryshimit të Kodit Etik.
AGK së bashku me znj. Kusari, me të cilën në vazhdimësi kanë përcjell këtë proces, e mirëpresim tërheqjen e Komisionit të Pavarur për Media nga iniciativa për të ndryshuar Kodin Etik, me të cilin ndër të tjera do të ndalohej në tërësi raportimi nga gjykatat. Ndryshimet e propozuara do ta cenonin në thelb të drejtën e lirisë së shprehjes dhe lirinë e mediave.
Kërkojmë nga KPM që iniciativat tjera nënligjore t’i ndërmerr me përfshirje të mirëfilltë të gazetarëve dhe organizatave të shoqërisë civile.